Hoxhaj kërkon përkrahjen e vendeve të BE-së
Bruksel, 11 shkurt Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel kanë zhvilluar takime me ministrat e punëve të jashtme të Belgjikës, të Rumanisë, të Sllovenisë, të Letonisë si dhe përfaqësuesin e Portugalisë.
Ministri Enver Hoxhaj theksoi se gjatë takimeve janë trajtuar dy tema boshte të bisedave me ministrat e këtyre shteteve evropiane, përkrahja për përmbylljen e negociatave për nënshkrimin e MSA-së si dhe për procesin e liberalizimit të vizave.
Tema e parë ishte se si ta kemi mbështetjen e këtyre shteteve sa i takon përmbylljes së negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, meqë kjo marrëveshje është e rëndësishme edhe për proceset integruese evropiane të Kosovës, por është edhe marrëveshje kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, tha ministri Hoxhaj, pas takimeve të zhvilluara në Bruksel.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu bëri të ditur se është biseduar edhe për mbështetjen e këtyre shteteve lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
Tema e dytë boshte ishte mbështetja e këtyre shteteve sa i takon procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, një temë e cila është e ndjeshme për çdo qytetar, pavarësisht moshës që ka, në Republikën e Kosovës, tha ministri Enver Hoxhaj.