Hoxhaj kërkon përkrahjen e Lituanisë gjatë kryesimit të BE-së
Prishtinë, 29 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në një takim të ngarkuarin me punë të Republikës së Lituanisë në Sofje, Darius Gaidys, misioni i të cilit e mbulon Kosovën nga Bullgaria.
Gjatë takimit njoftues, ministri Hoxhaj ka vlerësuar raportet shumë të mira ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me Lituaninë.
Gjatë takimit, Hoxhaj foli edhe për progresin në Kosovë, konsolidimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst, Hoxhaj theksoi avancimin e agjendës euro-integruese të Republikës së Kosovës.
I ngarkuari me punë i Republikës së Lituanisë në Sofje, Darius Gaidys, i cili gjatë këtij takimi ka dorëzuar edhe letrat zyrtare për mbulimin e Kosovës nga Ambasada e Lituanisë në Bullgari, theksoi përkrahjen e shtetit të tij për proceset në Kosovë.
Ministri Hoxhaj dhe z. Gaidys, kanë biseduar edhe për përkrahjen e Lituanisë për Kosovën gjatë periudhës KorrikDhjetor 2013, kur Lituania do të ketë kryesimin e presidencës së Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, Gaidys theksoi se Kosova do të mbetet prioritet i presidencës lituaneze të BE-së.
Gjatë takimit është biseduar edhe për vizitën që ministri i Jashtëm i Lituanisë, pritet të zhvillojë në Republikën e Kosovës në korrik të këtij viti.