Hoxhaj kërkon përkrahjen e Kouchner për Kosovën
Prishtinë, 6 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të martën ish-përfaqësuesin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.
Pas takimit, ministri Hoxhaj e ka informuar mikun e Kosovës, z. Kouchner, për progresin që po bën Republika e Kosovës në të gjitha aspektet.
Ministri Hoxhaj po ashtu foli për të ardhmen evropiane të Kosovës, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke veçuar mbështetjen që jep Franca për Kosovën, në këtë drejtim.
Duke vlerësuar kontributin e dhënë për Kosovën deri më tani, Hoxhaj ka kërkuar nga ish-ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, që të vazhdojë përkrahjen për shtetin e Kosovës.
Kam kërkuar nga z. Kouchner që edhe në të ardhmen të jetë në dispozicion të shtetit të Kosovës, sikurse ka ndihmuar edhe në të kaluarën, tha ministri Hoxhaj, pas takimit.
Ish-përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, tha se gjatë takimit me ministrin Hoxhaj kanë diskutuar për raportet ndërmjet Kosovës dhe Francës, duke theksuar se ai është një mik i Kosovës, por edhe i serbëve.
Ne diskutuam për progresin në Kosovë. Ardhja ime çdo vit ose çdo dy vite është fantastike për ta parë progresin e arritur, jo vetëm në Prishtinë por përgjithësisht. Edhe atmosferën, por edhe ndjesinë e njerëzve, ku është krijuar një vetëbesim i qytetarëve. Ne kemi shumë gjëra për të thënë së bashku, duke përfshirë edhe perspektivën e Kosovës dhe Serbisë për integrim në Evropë, si dhe për Ukrainën, deklaroi ish-ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner.