Hoxhaj kërkon përkrahjen e Çekisë në proceset integruese
Prishtinë, 22 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Jiri Doleel.
Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Doleel kanë biseduar për progresin që po arrihet në Kosovë, forcimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.
Ministri Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane, duke kërkuar përkrahjen e Çekisë në këtë drejtim.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Jiri Doleel, ka vlerësuar progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Çekisë për proceset në shtetin e Kosovës.
Gjatë takimit, ambasadori Doleel i ka dorëzuar ministrit Hoxhaj edhe një telegram të ministrit të Jashtëm të Çekisë, Jan Kohout.
Në letër, ministri Kohout shpreh ngushëllime për viktimat e sulmit të 19 shtatorit mbi makinat e EULEX-it në veri të Kosovës, dënon sulmin e kryer dhe vlerëson përkrahjen e institucioneve të Kosovës për pjesëtarin çek të EULEX-it, të lënduar në këtë rast.
Besojmë fuqishëm se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in do ti sjellin autorët para drejtësisë dhe do ti vazhdojnë përpjekjet për mbështetjen e sundimit të ligjit në Kosovë, thuhet në letër.
Në telegram po ashtu theksohet se Republika e Çekisë është e vendosur që të vazhdojë angazhimin në Kosovë, veçanërisht përmes pjesëmarrjes së saj aktive në misionin e EULEX-it.
Ministri i Jashtëm çek Kohout, thekson se pret që të takohet me ministrin Enver Hoxhaj, gjatë vizitës së tij në Çeki me rastin e Dialogut të Zgjerimit të Pragës, që do të mbahet me 4 nëntor 2013.