Hoxhaj kërkon njohjen nga Vatikani
Prishtinë, 18 korrik - Qeveria e Kosovës i është qasur seriozisht lobimit për ta siguruar njohjen nga Selia e Shenjtë. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, muajin e kaluar larg mediave ka takuar sekretarin për marrëdhënie me shtetet në Selinë e Shenjtë, Dominik Mamberti, me të cilin ka biseduar rreth mundësisë së njohjes së Kosovës nga Vatikani.
Një burim brenda Qeverisë në kushte anonimiteti ka bërë me dije për Epokën e re se vizita e kryediplomatit kosovar në Selinë e Shenjtë ka zgjatur më shumë se një orë. Sipas tij, kjo vizitë ka shënuar një kthesë në marrëdhëniet në mes të dy vendeve.
Ngjarje kthesë në relacionin me Selinë e Shenjtë ka qenë vizita e parë e një zyrtari të Kosovës dhe takimi që ministri Hoxhaj ka zhvilluar me Dominik Mamberti, sekretarin për marrëdhënie me shtetet në Selinë e Shenjtë. Takimi ka zgjatur më shumë se një orë dhe është biseduar kryesisht për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë, ka thënë ky burim.
Po i njëjti burim ka treguar se paralelisht me ministrin Hoxhaj në Vatikan kishte qëndruar edhe imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës.
Epoka e re ka kontaktuar zyrtarët e MPJ-së për të marrë një konfirmim rreth këtij takimi, por zëdhënësi i kësaj ministrie, Artan Behrami, nuk ka dashur të komentojë rreth kësaj çështje, duke mos e mohuar e as pohuar një takim të tillë.
Ai ka thënë se ministri Hoxhaj në dy vjetët e fundit ka takuar dhjetëra kardinalë dhe personalitete të rëndësishme ndërkombëtare që kanë ndikim në Vatikan.
Ministri Hoxhaj në dy vjetët e fundit ka takuar dhjetëra kardinalë në shtete të ndryshme të botës, deputetë të parlamenteve nacionale të shteteve të BE-së, Parlamentit Evropian, personalitete të shumta që kanë ndikim në Selinë e Shenjtë. Po ashtu, ministri Hoxhaj disa herë e ka vizituar Selinë e Shenjtë. Vatikani tradicionalisht e ka mbështetur popullin e Kosovës në periudha të ndryshme kohore dhe ne jemi të interesuar të kemi marrëdhënie shumë të veçanta me Selinë e Shenjtë. Vizitat dhe takimet e shpeshta të ministrit Hoxhaj i kanë shërbyer pikërisht këtij qëllimi, ka thënë Behrami, duke shtuar se gjatë këtyre dy-tri vjetëve Hoxhaj ka pasur në fokus të veçantë kultivimin e marrëdhënieve me Vatikanin dhe rrjedhimit edhe njohjen nga Selia e Shenjtë.
Më tutje, ai ka vlerësuar se shefi i diplomacisë së Kosovës ka mbajtur kontakte të rregullta me parti të djathta evropiane që kanë lidhje speciale me Selinë e Shenjtë, deputetë të shteteve të ndryshme dhe të Parlamentit Evropian.