19 Maj 2024

Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të OBI

Jeddah, 12 janar  - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në vizitën e parë zyrtare në selinë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), në Jeddah të Arabisë Saudite, është takuar me sekretarin e Përgjithshëm të kësaj organizate, Ekmeleddin Ihsanoglu.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka njoftuar sekretarin Ihsanoglu për progresin e madh që ka arritur Kosova në 2012 dhe për objektivat për 2013, duke thënë se ky vit do të jetë një kapitull i rëndësishëm i integrimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe në procesin e njohjes së plotë të Republikës së Kosovës.
 
“Deri më tash janë 31 vende nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik që e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe kohëve të fundit është dëshmuar që vende të cilat paraqesin fuqi rajonale, politike, ushtarake sikurse Pakistani, po e njohin shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.

Ne jemi të interesuar që ky momentum i krijuar të ketë ndikimin e vetë edhe tek shumë vende të tjera anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, të cilat nuk kanë ndonjë arsye politike apo legale që të mos e njohin Republikën e Kosovës si dhe është dëshmuar se procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës është i pandalshëm dhe me një gjeografi globale”, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj

Hoxhaj e ka falënderuar sekretarin e Përgjithshëm të OBI-t për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës në këto pesë vjetët e pavarësisë së saj duke thënë se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës personalisht sekretarit Ihsanoglu dhe OBI-t për mbështetjen e ofruar.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka bërë të ditur se ka një agjendë të saktë javore dhe mujore sa i takon aktiviteteve lobuese për rritjen e numrit të shteteve që do ta njohin Kosovën në vitin 2013 dhe se takimi i sotëm është i rëndësishëm për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta gjatë këtij viti.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu, pasi ka vlerësuar progresin në Kosovë, ka thënë se deri më tash janë pothuaj 100 vende që e kanë njohur Kosovën dhe se Kosova ka lidhje të veçanta historike me të gjitha vendet anëtare të OBI-t.

Ihsanoglu po ashtu ka siguruar se Republika e Kosovës do ta ketë mbështetjen e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në përmbylljen e procesit të njohjeve.

Në një konference për shtyp, ministri Hoxhaj ka thënë se është një obligim moral i të gjitha vendeve anëtare të OBI-t dhe të gjitha vendeve pas pranverës arabe, që të marrin vendim pozitiv për njohjen e Kosovës.

“Dhe unë ftoj të gjitha vendet që nuk e ka kanë bërë një gjë të tillë, që në këtë vit ta marrin këtë vendim sepse në këtë mënyrë do t’i kontribuojnë paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë”, ka thënë ministri Enver Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)