Hoxhaj kërkon nga Bangladeshi, Togo e Taxhikistani njohjen e Kosovës
Conakry, 10 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vazhduar fushatën lobuese në Guinea Conakry të Afrikës, në ditën e dytë të Samitit të 40-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik.
Në margjina të Samitit, ministri Hoxhaj ka takuar përfaqësuesin special të Bangladeshit në Samit, që njëherësh është sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme, Shahidul Haque, me të cilin ka biseduar për njohjen e Kosovës si dhe për formatin e mundshëm të bashkëpunimit që të dy vendet do të mund ta zhvillonin pas njohjes së pavarësisë.
Mes tjerash, Hoxhaj e ka njoftuar homologun e tij me të arriturat e Kosovës dhe progresin e shënuar në dialogun me Serbinë. Njohja e Kosovës nuk është vetëm një dëshirë, por edhe një realitet. Është një proces i pakthyeshëm dhe bota e ka parasysh këtë fakt, duke respektuar njëherësh vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi. Po ashtu, është e rëndësishme se të gjitha shtetet po lëvizin drejt njohjes që do të shënonte njëherësh përmbylljen e procesit të njohjes së Kosovës, ka thënë Hoxhaj.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i posaçëm i Bangladeshit në OBI e ka siguruar Hoxhajn se vendi i tij do ta marrë seriozisht në shqyrtim kërkesën për njohje të Kosovës.
Kryediplomati kosovar ka zhvilluar një takim përmbajtësor edhe me zëvendësministrin e Jashtëm të Taxhikistanit, Nizomiddin Shamsiddinovich, të cilit ia ka dorëzuar kërkesën për njohjen e Kosovës.
Zëvendësministri i Jashtëm e ka siguruar ministrin Hoxhaj se vendi i tij është në dijeni dhe do ta shqyrtojë seriozisht kërkesën për njohje të pavarësisë.
Një tjetër takim lobues që ministri Hoxhaj ka zhvilluar është ai me përfaqësuesin special të Togos në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, me të cilin ka folur për njohjen e Kosovës dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet të dy vendeve.
Një raund tjetër të takimeve, ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me homologë dhe përfaqësues të vendeve që e kanë njohur Kosovën, të cilët i ka falendëruar duke kërkuar njëherësh ta mbështesin Kosovën në rrugën për sigurimin e më shumë njohjeve.
Kryediplomati kosovar e ka falendëruar për njohjen dhe mbështetjen që po i jep Kosovës ministrin e Jashtëm të Libisë, Mohammed Abdel Aziz, me të cilin kanë diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Hoxhaj ka takuar edhe homologun e Senegalit, Mankeur Ndiaye.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, ka në agjendë të takojë edhe homologët e vendeve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, si të Republikës Suriname, Kamerunit, Mozambikut e të tjerë.
Ministri Enver Hoxhaj po merr pjesë në Samitin e 40-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që po mbahet nga data 9 deri më 11 dhjetor në Guinea Conakry të Afrikës