Hoxhaj kërkon mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar
Prishtinë, 8 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka pranuar një telefonatë nga sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague.
Ministri Hoxhaj fillimisht ka falënderuar sekretarin Hague për rolin mbështetës që Mbretëria e Bashkuar ka pasur në miratimin e autorizimit për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e StabilizimAsocimit me Kosovën nga Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian.
Dy ministrat kanë biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, si dhe në shkëmbime ekonomike, tregtare, në fushën e arsimit dhe të kulturës. Ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në aspiratën e popullit të Kosovës për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike.
Nga ana tjetër, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, ka siguruar ministrin Hoxhaj se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës, si dhe anëtarësimin në sistemin ndërkombëtar.
Ministri Hoxhaj ka informuar sekretarin Hague edhe për progresin që ka bërë Republika e Kosovës në muajt e fundit në konsolidimin e shtetësisë, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, në reformat e ndërmarra, si dhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.