Hoxhaj: Kapitull i ri i bashkëpunimit me Arabinë Saudite
Prishtinë, 4 dhjetor Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, jo rezident në Kosovë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin konkret dhe projektet prej vitit të ardhshëm ndërmjet dy vendeve.
Ministri Hoxhaj e ka falënderuar ambasadorin për ndihmën e Arabisë Saudite dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke thënë se tashmë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po hyjnë në një fazë të re, atë të bashkëpunimit me ide, projekte në fusha ku mund të bashkëpunohet.
Ka mundësi të mëdha të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite. Prioritet qendror i Qeverisë së Kosovës është zhvillimi ekonomik dhe sjellja e investitorëve në Kosovë, dhe Arabia Saudite mund të jetë një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e shtetit tonë, për bizneset dhe qytetarët, ka thënë Hoxhaj.
Ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, jo rezident në Kosovë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim ka falënderuar ministrin Hoxhaj për pritjen dhe gatishmërinë e Kosovës që të jetë partner i forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha konkrete.
Para këtij takimi, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka pritur edhe delegacionin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të udhëhequr nga zëvendëskryetari i Fondit për Zhvillim, Yousef Al-Bassam.
Hoxhaj ka falënderuar Mbretërinë e Arabisë Saudite për ndihmën që ka dhënë për Kosovën dhe ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të thelluar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, veçmas për marrëveshjen e nënshkruar tashmë për ta financuar ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Nga ana e tij, Al-Bassam ka shprehur vullnetin e Fondit Saudit dhe Qeverisë së Arabisë Saudite për të vazhduar bashkëpunimin bilateral në sferën e ekonomisë dhe investimeve në infrastrukturë.