Hoxhaj i uroi mirëseardhje në Kosovë Sekretarit Hague
Prishtinë, 24 tetor Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari, Sekretarin e Parë të Shtetit, njëkohësisht Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Jefferson Hague, i cili do të qëndroj për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Ministri Hoxhaj i uroi mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Sekretarit Hague, duke shprehur konsideratat më të larta dhe mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe popullit të Kosovës për kontributin e fuqishëm që Mbretëria e Bashkuar dhe ai personalisht kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për shtetin e Kosovës.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur vullnetin e popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar.
Sekretari i Parë i Shtetit, njëkohësisht Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, gjatë qëndrimit në Kosovë, do të takohet me liderët e institucioneve të Republikës së Kosovës, Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.