Hoxhaj: Greqia, partner rajonal i Kosovës
Prishtinë, 17 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të enjten në takim njohës shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Athanassiadou rikonfirmuan angazhimin dhe mbështetjen e dy vendeve për ndërtimin e relacioneve të forta bilaterale në dimension politik, ekonomik, tregtar dhe shoqëror.
Ministri Hoxhaj, pasi e njoftoi ambasadoren për progresin vazhdueshëm që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat, theksoi se Greqia është partner i rëndësishëm i Kosovës dhe fqinj rajonal i saj.
Kosova çmon mbështetjen që Greqia ka dhënë dhe po jep në ndërtimin e perspektives euroatlantike të vendit tonë, tha Hoxhaj, duke shtuar se vizita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm grek, Venizelos, gjatë muajit shkurt në Prishtinë, rikonfirmoi se dy vendet trajtojnë reciprokisht relacionet me respekt dhe përkushtim të madh.
Ministri Hoxhaj dhe shefja e re e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadorja Konstantina Athanassiadou, shprehën angazhimin e përbashkët për fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet Greqisë dhe Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për projektet e reja bilaterale ndërmjet dy vendeve në muajt në vijim, sidomos në organizimin e forumit të përbashkët ekonomik në Greqi.
Ministri Hoxhaj e falënderoi ambasadoren Athanassiadou për vendimin që Zyra Greke të vendos vizat Schengen në pasaportat e rregullta, diplomatike dhe zyrtare të Republikës së Kosovës.