Hoxhaj: Finlanda, partnere evropiane e Kosovës
Prishtinë, 28 tetor Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Finlandës në Prishtinë, Anne Meskanen.
Ministri Hoxhaj e ka njoftuar znj. Meskanen për progresin në Kosovë, forcimin e shtetësisë si dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane.
Ministri i Jashtëm kosovar ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e Finlandës në proceset integruese evropiane, duke kërkuar mbështetje të mëtejshme në këtë rrugë.
Duke vlerësuar lart marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, Hoxhaj theksoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e shkëmbimeve në të gjitha fushat me Finlandën.
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Finlandës në Kosovë, Anne Meskanen, vlerësoi progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke shprehur mbështetjen e mëtutjeshme të Finlandës.