Hoxhaj falënderon Monsinjor Mambertin për përkrahjen e Kosovës
Prishtinë, 10 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ka falënderuar Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë të Selisë së Shenjtë, Monsinjor Dominique Mamberti, i cili nuk do të jetë më në këtë pozitë.
Në telegram, ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për përkrahjen që Monsinjor Mamberti ka dhënë për Kosovën, gjatë kësaj periudhe.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka vlerësuar lartë rolin e Sekretarit të deritashëm për Marrëdhënie me Jashtë të Selisë së Shenjtë në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.
Shefi i diplomacisë kosovare ka vizituar disa herë Selinë e Shenjtë në përpjekje për të shtyrë përpara agjendën lobuese dhe siguruar njohjen nga Vatikani, ku është pritur nga Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Selisë së Shenjtë, Monsinjor Dominique Mamberti.