Hoxhaj dorëzon kërkesat për njohje nga Libani, Tunizia e Indonezia
Në kuadër të fushatës lobuese për Kosovën, ministri Hoxhaj ka takuar homologë të shumtë nga vende që nuk e kanë njohur pavarësinë dhe personalitete të rëndësishme të shteteve islamike përfshirë edhe vendet mike të Kosovës.
Një takim të rëndësishëm ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Libanit, Adnan Mansour, me të cilin ka biseduar për njohjen e Kosovës, hapat e bashkëpunimit që mund ti ndjekin të dyja vendet në të ardhmen duke dorëzuar njëherësh edhe zyrtarisht kërkesën për njohje.
Më tej, Hoxhaj e ka njoftuar homologun e tij për të arriturat e Kosovës, progresin e shënuar në dialogun me Serbinë dhe ecjen e Kosovës drejt BE-së.
Njohja e pavarësisë së Kosovës për këto vende është një e drejtë e pamohueshme e popullit të Kosovës. I dorëzova ministrit të Jashtëm të Libanit kërkesën për njohjen zyrtare të Kosovës, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Libanit, Adnan Mansour, e siguroi ministrin Hoxhaj se vendi i tij do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për njohje dhe do të intensifikojnë komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Kërkesën për njohjen e pavarësisë, ministri Hoxhaj ia ka dorëzuar edhe ministrit të Jashtëm të Tunizisë, Othman Jarandi, me të cilin ka biseduar po ashtu edhe për hapat e bashkëpunimit të mëtutjeshëm ndërmjet dy vendeve përtej njohjes së Kosovës.
Kryediplomati kosovar Hoxhaj ka takuar edhe zëvendësministrin e Jashtëm të Indonezisë, Wardana, të shoqëruar nga ambasadori i këtij vendi në OKB, Desra Percaya, ku ka dorëzuar kërkesën për njohje. Hoxhaj po ashtu i ka njoftuar ata për të arriturat e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë më 2008.
Gjatë sesionit të paradites, ministri Hoxhaj ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah Ghobash dhe atë të Burkina Fasos, Yipene Djibrill Bassole, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen e Kosovës.
Në margjina të Samitit, Hoxhaj ka takuar edhe sekretarin e ardhshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Iyad Madani dhe shumë ambasadorë e personalitete nga bota islame.
Kryediplomati kosovar po merr pjesë në Samitin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, pas qëndrimit në Paris ku mori pjesë në Samitin vjetor Francë-Afrikë.