Hoxhaj: Dialogu pas zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme
Prishtinë, 24 shtator - Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxha ka deklaruar se vazhdimi i dialogut me Beogradin do të jetë i mundur kur të zbatohen marrëveshjet e deritanishme të arritura në Bruksel.
Nuk mund të kemi proces të ri të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në rast se paraprakisht nuk jetësohen marrëveshjet e deritanishme. Do të vlerësoja se tërë kredibiliteti i dialogut teknik do të sillet në dyshim, në rast se Beogradi nuk plotëson atë për çka jemi marrë vesh, deklaroi shefi i diplomacisë së Kosovës, Hoxhaj në një intervistë për revistën Danas.
Ai ka nënvizuar se liderët e ri institucional në Serbi nuk duhet të kenë qasjen e ish-presidentit serb Boris Tadiq, i cili kishte për qëllim mbajtjen e status quo-s, dhe jo zgjidhjen e problemeve të brendshme ekonomike dhe sociale, si dhe planin dinamik për integrimin evropian.
Hoxhaj ka kërkuar që Serbia të ndërpres financimin dhe përkrahjen e strukturave ilegale dhe grupet paramilitare në katër komunat në veriun e Kosovës. Grupet policore, të sigurisë dhe ato paramilitare patjetër përfundimisht duhet të tërhiqen nga veriu. Për 12 vite Serbia po mban këto struktura në veri, deklaroi ministri i jashtëm i Kosovës.
Ai ka kërkuar që Beogradi t`i jep fund politikës së njohur me një këmbë në Kosovë, me një këmbë në Bruksel. Ministri i jashtëm Hoxhaj ka shtuar se Kosova është e gatshme për normalizimin e marrëdhënive me Serbinë, nëse kjo e fundit njeh shtetin e Kosovës dhe nëse e sheh Kosovën si partnere dhe fqinje të saj.
Kufijt e Kosovës janë të vërtetuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ndërsa Kosova me kufijt e saj është njohur nga gjysma e anëtareve të OKB-së. Andaj, Beogradi nuk mund të ketë asnjë rol kur bëhet fjalë për veriun, ka deklaruar ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.