Hoxhaj dhe Eide kërkojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes
Prishtinë, 24 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide, i cili ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Pas takimit, dy ministrat kanë mbajtur një konferencë për medie, ku kanë theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duke vënë theksin në rëndësinë e implementimit të plotë të saj.
Ministri Hoxhaj theksoi se marrëveshja do të jetë në shërbim të dy shteteve të pavarura dhe qytetarëve të tyre vetëm nëse do të implementohet, e jo të mbetet në letër.
Qeveria e Kosovës është shumë e vendosur që gjatë muajve të ardhshëm ti ketë tri prioritete, ato janë: zbatimi, zbatimi dhe vetëm zbatimi i kësaj marrëveshjeje. Kemi një plan konkret, të matshëm me afate kohore, me strukturë institucionale se ku, çfarë roli do të ketë, në implementimin e saj dhe kërkova nga ministri Eide që vendi i tij ta ndihmoj Republikën e Kosovës në implementimin e kësaj marrëveshje, sa i takon integrimit të komunave, tha Hoxhaj.
Ai po ashtu theksoi se për Kosovën ka qenë shumë e rëndësishme që të ketë një Kosovë funksionale, që të ruhet karakteri multietnik i Republikës së Kosovës duke vlerësuar se marrëveshja i siguron këto aspekte.
Ministri Hoxhaj ka theksuar relacionet e shkëlqyeshme të Kosovës me Norvegjisë, duke veçuar mbështetjen e madhe që ky shtet ka dhënë për Kosovën në procesin e ndërtimit të shtetit, përkrahjen politike, ekonomike dhe në fushën e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj dhe Eide kanë biseduar edhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm bilateral ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë.
Në këtë kontest, Hoxhaj tha se Norvegjia mund të jetë një partner i fuqishëm euroatlantik i Kosovës, sidomos sa i takon të ardhmes së FSK-së.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Norvegjisë, Espen Barth Eide tha se është një kënaqësi shumë e madhe për të që e viziton zyrtarisht Prishtinën, pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ai theksoi se Norvegjia ka qëndrim shumë të qartë për Kosovën.
Ne kemi qenë të angazhuar në mbështetjen ekonomike, por mbi të gjitha mbështetjen politike në procese të ndryshme, prej të cilave tash po shohim rezultate konkrete, tha Eide.
Ministri norvegjez duke vlerësuar rëndësinë e marrëveshjes, theksoi se kërkohet punë shumë e madhe në implementim e saj.
Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe për Serbinë. Ne morëm ftesën e ministrit Hoxhaj dhe do të jemi shumë të angazhuar në implementimin e marrëveshjes. Është një marrëveshje historike dhe unë besoj në të, tha Eide, duke shtuar se ai ka biseduar edhe me baroneshën Ashton dhe sekretarin e NATO-s Rasmussen dhe se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të ndihmojë në këtë proces.
Ministri Eide po ashtu ka thënë se një segment ku Norvegjia dëshiron të angazhohet më shumë është mbështetja e FSK-së.
Ne kemi përvojë se si të ndërtohet një forcë e sigurisë, si të krijohet një relacion me NATO-në dhe ne do të shfrytëzojmë përvojën tonë dhe anëtarësimin tonë në NATO, si platformë për këtë ndihmë, tha ai.
Ministri i Punëve të Jashtme i Norvegjisë, Espen Barth Eide, ka folur edhe për procesin e njohjeve të mëtutjeshme të Kosovës, duke ftuar vendet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë, që sa më parë të bëjnë këtë gjë.
Ai ka theksuar se pas arritjes së marrëveshjes janë larguar disa argumente që më parë janë përdorur kundër njohjes së Kosovës.
Mendoj që ato duhet të bëjnë punët e shtëpisë dhe të përgatiten të njohin Kosovën. Nëse e bëjnë më herët është shumë më mirë sesa të humbasin kohë, tha Eide..