Hoxhaj dhe Çitaku marrin mbështetje nga vende të fuqishme të BE-së
Bruksel, 27 shkurt - Ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, kanë vazhduar takimet me shumë ministra të punëve të jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Dy ministrat kanë zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Karel Schwarzenberg.
Fillimisht, dy ministrat kanë falënderuar ministrin Schwarzenberg për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e tij i ka dhënë shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.
Dy ministrat kanë marrë mbështetje nga zëvendëskryeministri Schwarzenberg që shteti i tij edhe më tutje do të mbështesë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Ministri Hoxhaj dhe ministrja Çitaku kanë zhvilluar një takim edhe me ministrin e punëve të jashtme të Estonisë, Urmas Paet. Ata kanë zhvilluar një takim pune edhe me ministrin e punëve të jashtme të Finlandës, Erkki Tuomioja, të cilin e kanë falënderuar për mbështetjen që ky shtet është duke i dhënë Republikës së Kosovës.
Në të gjitha këto takime, dy ministrat kanë marrë përkrahje nga shtete të fuqishme të Bashkimit Evropian për marrjen e udhërrëfyesit, nënshkrimin e marrëdhënieve kontraktuale dhe për fillimin e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit.
Dy ministrat gjatë tërë ditës kanë zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe ministra të punëve të jashtme, nga të cilët kanë kërkuar mbështetjen e tyre për proceset integruese të Republikës së Kosovës.