29 Prill 2024

Hoxhaj dënoi aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike

Prishtinë, 2 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj  e dënon fuqishëm dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë. Në një letër dërguar Rabin Edward Boraz, Ministri Hoxhaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh indinjatën e thellë për aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike në Prishtinë.

“Qeveria e Kosovës dënon fuqimisht veprime të tilla dëmtuese dhe ofenduese. Me komunitetin hebraik ne ndajmë shumë ngjashmëri historike dhe kemi çmuar lart të kaluarën tonë të përbashkët në Kosovë. Veprat e tilla të papranueshme konsiderohen ofendim për personat e varrosur në këtë varrezë të çmuar, ofendim ndaj të kaluarës që ndajmë bashkë me komunitetin hebraik, dhe një ofendim ndaj përpjekjeve tona për ruajtjen e trashëgimisë sonë të pasur kulturore”, shkruan ministri Hoxhaj në këtë letër, duke shtuar se trashëgimia kulturore e Kosovës konsiderohet si trashëgimi kulturore e mbarë botës.

Ministri Hoxhaj theksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e vendeve kulturore e historike, siç janë Varrezat Hebraike, që është përgjegjësi jona e përbashkët.

“Në muajin qershor ne mirëpritëm mirësinë dhe punën me konsideratë nga ana e vullnetarëve dhe e studentëve të Universitetit të Dartmouth dhe AUK në restaurimin e Varrezave Hebraike në Prishtinë. Ne shpresojnë se akte të tilla vandale nuk do të dekurajojnë aktivitetet dhe qëllimet këtilla kaq të admirueshme. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen e këtij lokacioni dhe mbështetjen e përpjekjeve të mira për ruajtjen e vendeve tona historike”, thekson ministri Hoxhaj.

Në fund të letrës, Ministri Hoxhaj ka thënë se autoritetet në Kosovë janë duke zhvilluar një hetim të hollësishëm dhe jemi të përkushtuar që shkelësit të sillen para drejtësisë.

“Ne mbesim me shpresë në forcimin e raporteve tashmë të lavdërueshme miqësore ndërmjet komunitetit hebraik në Kosovë dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj një letër i ka dërguar edhe Kongresmenit amerikan, Eliot L. Engel, ku i ka shprehur indinjatën e thellë për aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike në Prishtinë.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)