04 Maj 2024

Hoxhaj: Bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë në Siri

Prishtinë, 14 korrik – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dënuar fushatën gjakderdhëse të regjimit të Assadit kundër qytetarëve sirianë, dhunë e cila së fundi degjeneroi me masakrën e djeshme në provincën Hama, ku u vranë më se 200 njerëz.

Ministri Hoxhaj në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, i është bashkuar ngushëllimeve të botës demokratike perëndimore për popullin dhe opozitën siriane, për këtë tragjedi të radhës të shkaktuar nga regjimi kriminal i Assadit.

Ministri Hoxhaj, ka ritheksuar se institucionet dhe qytetarët e Kosovës po e ndjekin me shqetësim të madh situatën në Siri, duke dënuar ashpër fushatën gjakderdhëse të regjimit të Assadit ndaj aspiratave të popullit dhe opozitës siriane për të transformuar vendin e tyre në një shtet të hapur dhe pluralist.

“Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me kërkesat e popullatës për ndryshime politike në Siri. Regjimi i Assadit e ka humbur legjitimitetin e tij në momentin kur kërkesat legjitime të qytetarëve sirianë u ndeshën me bombardime artilerish, tankesh dhe me vrasjen masive të civilëve”, ka thënë Hoxhaj, duke shprehur besimin e fuqishëm që Komuniteti Ndërkombëtar do t’i përgjigjet në mënyrë efektive krizës së Sirisë.

Hoxhaj ka theksuar se Siria nuk mund të jetë shtet paqësor, stabil dhe demokratik derisa të largohet Assadi dhe në Siri të fillojë tranzicioni politik, duke i bërë thirrje Komunitetit Ndërkombëtar që të ndërhyjë për ndalimin e gjakderdhjes dhe fillimin e procesit të demokratizimit të Sirisë.

“Ne besojmë se asnjë regjim nuk mund të mbetet imun për arritje të valës së demokratizimit dhe të lirisë, kështu që është vetëm çështje e kohës që kjo të ndodhë edhe në Siri”, tha Hoxhaj, duke shprehur përkrahjen dhe gatishmërinë e plotë të Republikës së Kosovës, për të ndihmuar përpjekjet ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe demokraci kalimtare në Siri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)