Hoxhaj: Avancim i bashkëpunimit Kosovë-Greqi
Zëvendëskryeministri Venizelos, i cili kryeson Presidencën e Greqisë të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjatë vizitës së parë zyrtare në Kosovë në kuadër të turneut që ka zhvilluar në disa vende të Ballkanin Perëndimor, është shoqëruar nga një delegacion i gjerë nga MPJ e Greqisë.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Venizelos për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat.
Ministri Hoxhaj e falënderoi homologun grek për përkrahjen që Greqia po jep për Kosovën me theks të veçantë në proceset integruese evropiane.
Zëvendëskryeministri, ministër i Punëve të Jashtme i Greqisë, Evangelos Venizelos, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Greqisë për proceset evropiane në Kosovë.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj po ashtu shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve bilaterale me Greqinë.
Në këtë kontekst, Hoxhaj dhe Venizelos u pajtuan për fuqizimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Greqisë dhe Kosovës, thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe organizimin e një konference ekonomike në Selanik.
Hoxhaj dhe Venizelos biseduan edhe për intensifikimin e komunikimit ndërmjet dy ministrive të punëve të jashtme në çështjet e konsultimeve në politikën e jashtme.
Lidhur me proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, ministri Hoxhaj kërkoi konkludimin e negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit gjatë presidencës greke të Këshillit të BE-së si dhe kërkoi përkrahje të mëtutjeshme të Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu kërkoi përkrahjen e Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale, me theks të veçantë në Organizatën e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).