06 Maj 2024

Hoxhaj: Askush nuk mund të ndal historinë

New York, 16 shtator - Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit që është mbajtur mbrëmë në New York.

Duke folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Hoxhaj ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë prezent në seanca, kur do të jetë nevoja, për të shpjeguar në detaje progresin e realizuar dhe stabilitetin e arritur në Ballkan që prej kur Kosova është bërë shtet i pavarur tri vite më parë.

Ministri Hoxhaj me këtë rast ka theksuar se opinioni publik botëror është dëshmitar i një fushate shumë të rrezikshme dhe provokuese nga Republika e Serbisë që ka për qëllim të krijojë një atmosferë frike dhe mosbesimi në veriun e Kosovës.

Ai ka shtuar se sërish, po dëgjojmë nga përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë se si Kosova është duke ndërhyrë në mënyrë të dhunshme dhe të njëanshme në veriun e vendit të banuar nga serbët e Kosovës.

“Ata të cilët vërtetë kërcënohen janë serbët e Kosovës që kanë guximin për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës. Ne e dimë që ata jetojnë në terror nga bandat e identifikuara nga EULEX-i dhe UNMIK-u në shumë raste. Këta janë njerëzit që fitojnë para prej kontrabandës së naftës, armëve dhe transferimit nga Beogradi përmes strukturave paralele ilegale të sigurisë, policisë dhe paramilitare. Këto struktura udhëhiqen, kontrollohen dhe financohen nga Beogradi”, ka theksuar Ministri Hoxhaj.

Ai ka bërë thirrje që të shpërbëhen strukturat ilegale dhe kriminale serbe dhe të ndalet dhuna në veri.

“Me qëllim që shteti im të përparojë, kjo duhet të ndalet. Dhuna duhet të ndalet. Ne kundërshtojmë ashpër dhe kurrë nuk do të pranojmë forcat e terrorit që kanë mbetur prej viteve të Millosheviqit. Këta janë njerëzit e njëjtë që gjithashtu kanë vrarë kryeministrin serb Gjingjiq. Njerëz të njëjtë që mendojnë se autori i masakrës së Srebrenicës Ratko Mlladiq është hero i luftës. Ne nuk kuptojmë se pse Serbia është e etur për t’i mbështetur këto elemente të errëta, përveç se për fuqizimin e ndarjes së Kosovës?”, ka shtuar Hoxhaj.

Duke folur për menaxhimin e kufijve, Ministri Hoxhaj ka potencuar se Kosova është shtet i pavarur dhe menaxhimi i kufijve është kompetencë e qeverisë qendrore ashtu si kudo tjetër në botë.

“Kufiri ynë verior do të jetë ashtu si kufijtë tjerë në Ballkan dhe do të mbetet gjithmonë një kufi shtetëror ndërmjet dy shteteve të pavarura. Në të njëjtën kohë, ne jemi shumë të përkushtuar drejt bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit ekonomik, marrëdhënieve të mira dhe të hapura tregtare dhe komunikimit me të gjitha shtetet e rajonit”, ka shtuar ai.

Në këtë seancë, Ministri Hoxhaj po ashtu ka folur për marrëveshjen që është arritur mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë për vulat doganore. Meqë dy delegacionet ranë dakord për dizajnin e vulave, sipas tij është logjike që vetëm zyrtarët kosovarë që mbajnë ato vula me vete do të vazhdojnë të punojnë në pikat 1 dhe 31.

“Ata kështu kanë bërë për shumë vite, derisa u sulmuan nga strukturat paralele të Serbisë para 3 viteve. Kosova ka plotësisht të drejtë të kërkojë kontrollin e plotë të kufijve, duke qenë një zonë e vetme ligjore. Për më shumë, meqenëse ky është një dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ne jemi të lumtur të dëgjojmë se të gjitha shtetet anëtare të angazhuara me Kosovën dhe Serbinë, kanë përsëritur se Serbia duhet të ndalojë të ndërhyjë në Kosovë, në mënyrën të cilën nuk është e përshtatshme për fqinjët”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Ai ka përmendur edhe mesazhin e kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd muajin e kaluar, e cila ka kishte thënë se Serbia duhet të zbatojë marrëveshjet me Kosovën, të lejojë operimin e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës dhe t’i shpërndajë strukturat paralele në veri.

“Pika e tretë e rëndësishme për qeverinë e Kosovës është se Kosova nuk mundet dhe nuk do të pranojë kthimin në situatën para korrikut. Dialogu është filluar jo për të mbajtur status-quon, por më shumë për të kërkuar në mënyrë aktive dhe për t’u marrë vesh për zgjidhjet teknike se si Kosova dhe Serbia mund të bashkëveprojnë ndërmjet veti. Bashkimi Evropian bazohet në dy principe themelore: në lirinë e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Dialogu është për t’i mbështetur të dy vendet në arritjen e këtyre qëllimeve. Këto janë zgjidhje teknike, deri sa ne t’i bashkohemi BE-së në rrugëtimin tonë të ndarë si shtete të ndara dhe partnerë evropianë”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova dhe Serbia kanë për obligim për të respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe të fillojmë marrëdhëniet normale tregtare duke përdorur dy pikat kufitare.

“Akuzat e qeverisë së Serbisë se kjo parqet disi kërcënim për paqen është pjesë e një lufte speciale. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të dorëzohet nga plani i saj ambicioz për integrimin dhe bashkëpunimin me të gjitha komunitetet. Ne nuk do të dorëzojmë të drejtat tona të mbrojtura ndërkombëtarisht për zbatimin e politikave për të cilat ne jemi zgjedhur. Për këtë arsye ne po punojmë me KFOR-in dhe EULEX-in për të mundësuar një kalim në gjendjen normale në kufij pa rrezikuar jetën e njerëzve apo pronës”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka akuzuar Serbinë që po përdor serbët e Kosovës në veri të shtetit – për efektet e fushatës zgjedhore në Serbi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka përdorur dhe as që do të përdorë dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike kundër ndonjë komuniteti, etnik apo ndryshe.

“Ne jemi të gatshëm të biem dakord në të gjitha çështjet e hapura teknike dhe të fillojmë të akomodojmë serbët e veriut përmes mekanizmave ekzistues kushtetues. Ne jemi shumë krenarë që sot Kosova është një shtet funksional shumetnik dhe shumica e serbëve të Kosovës janë duke marrë pjesë aktive në të gjitha nivelet e qeverisjes. Sot, veriu i Kosovës është i bllokuar me barrikadat e vendosura nga kontrabandistë që nuk dëshirojnë stabilitet dhe taksa doganore”, ka thënë ai.

Ai është shpreh i bindur se Kosova do të punojë me KFOR-in dhe EULEX-in për t’u siguruar se ajo për të cilën kemi rënë dakord së bashku në Bruksel do të zbatohet. Ai është zotuar se do të punojmë me ICO-në, OSBE-në dhe Kombet e Bashkuara për të mundësuar krijimin e institucioneve të lira dhe demokratike në veri.   

“Serbia ka bërë shumë veprime taktike dhe deklarata kohëve të fundit dhe sot, por duket se ka harruar që taktikat pa strategji janë të pamundshme. Objektivi ynë i përbashkët strategjik duhet të jetë paqja dhe stabiliteti në Ballkan, zhvillimi ekonomik dhe integrimi në BE. Fatkeqësisht, ne mendojmë se taktikat e fundit të Serbisë nuk kanë marrë parasysh këto objektiva rajonale. Askush nuk mund ta ndalojë rrjedhën e historisë: Pavarësia e Kosovës është fakt dhe Serbia duhet të fillojë të pajtohet me këtë fakt. E përsëris: qasja jonë sot dhe nesër do të jetë e bashkëpunimit dhe jo e konfrontimit. Le të largohemi nga kjo dhomë me një apel për Serbinë t’i ndalojnë kërcënimet, frikën e dhunën që ne të mund të vazhdojmë angazhimin në dialogun që Kosova dhe Serbia mund të shikojnë përpara drejt takimit në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Ministri Hoxhaj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)