Hoxhaj akuzon Beogradin për propagandë të qëllimshme
Prishtinë, 10 shtator - Autoritetet e Kosovës kanë hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë të drejtësisë, se kanë një dëshmitar, që ka marrë pjesë në trafikimin e organeve të serbëve të rrëmbyer në fundvitet e 90-ta.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i tha Radios Evropa e Lirë, se ky lajm, nuk ka bëjë as me drejtësinë dhe as me të drejtat e njeriut, por është pjesë e propagandës serbe ndaj Kosovës.
Ky lajm ka të bej me propagandën dhe me formën e luftës së ftohtë të propagandës. Koha kur është plasuar një lajm i tillë si dhe forma e prezantimit të tij të dielën, një ditë para se të merret vendimi sot për largimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare mbi Kosovën, tregon se është një përpjekje e forcave pro-millosheviqiane në Serbi që ta njollosin ketë ditë dhe këtë ngjaje të madhe historike për Kosovën që ndodh sot, tha Hoxhaj, për të shtuar, se autoritetet kosovare e kanë ditur, se Serbia do të dalë me një lajm të tillë pikërisht para përfundimit të mbikëqyrjes.
Ne kemi pasur informata para disa ditësh, para se një lajm i tillë të publikohet, se një gjë e tillë do të ndodhë dhe tendenca është e hapur: njollosja e një dite historike për Kosovën, i tha Radios Evropa e Lirë, kryediplomati kosovar.
Prokurori i Serbisë për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, i ka thënë një ditë më parë AFP-së, se e ka dëshmitarin, që dyshohet se ka marrë pjesë në trafikim të organeve të të burgosurve serbë, nga ana e ish pjesëtarëve të UÇK-së, në fund të viteve të 90-ta.
Ne e kemi një dëshmitar, që ka dëshmuar për procedurën mjekësore, të bërë në pjesën veriore të Shqipërisë, që përbëhej nga marrja e organeve nga serbët e rrëmbyer gjatë konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë, i tha Vukçeviq agjencisë AFP.
Sipas tij, ky dëshmitar e ka përshkruar operacionin e zemrës së një të burgosuri serb në lokacionin afër Kukësit, në fund të viteve të 90-ta dhe transportimin e organit në aeroportin Rinas, afër Tiranës.
Lidhur me akuzat për trafikim të organeve nga ish pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë, po zhvillohen hetime nga një prokuror i misionit të Bashkimit Evropian, EULEX.
Zyrtarët më të lartë në Kosovë dhe Shqipëri i kanë hedhur poshtë kategorikisht pretendimet për trafikim të organeve, që për të parën herë ishin paraqitur në raportin e Dik Martit në Këshillin e Evropës, por janë shprehur në mbështetje të hetimeve gjithëpërfshirëse për këtë rast.