Hoti thotë se do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese
Prishtinë, 14 gusht - Glauk Konjufca, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë thirrje që PAN t'i jap fund bllokadës së punës së Kuvendit të Kosovës.
"Nëse PAN nuk ka tjetër propozim tjetër, atëherë le ta qesin Kadri Veselin si kandidat dhe ne do të marrim pjesë në votim. Nëse duan që ta ndërrojnë kandidatin, duhet që këtë ta bëjnë sa më shpejtë", ka thënë Konjufca.
"Ne duam që debati të zhvillohet në Kuvend aty ku e ka vendin, dhe jo në tryeza politike apo edhe në tryeza të tjera të paligjshme. Vetëvendosja i kundërshton ato konsulta të cilat i thërret PAN-i", ka thënë ai.
Avdullah Hoti, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë se tani po shihet qartë se PAN-i është bllokues i procesit të themelimit të institucioneve të Kuvendit të Kosovës.
"Më vjen keq që edhe grupi i deputetëve të pakicave i është bashkuar bojkotit", ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se një pyetje që duhet t'i shtrohet Gjykatës Kushtetuese është se çka duhet të bëhet nëse dështon zgjidhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
"Jemi në konsulta me shoqërinë civile dhe profesorë ekspertë për formulimin e këtyre pyetjeve", ka thënë Hoti.
Ndryshe deputetët e koalicionit PAN nuk po marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.