Hoti serish në intepelancë lidhur me shuarjen e Task-forcës antikorrupsion
Prishtinë, 13 nëntor - Kuvendi i Republikës do të mblidhet sot në seancë të re, në interpelancën e kryeministrit të Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, kërkesës së 8 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në lidhje me shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.
Qeveria e Kosovës e ka shuar Departamentin Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës.
LVV ka vlerësuar se në kohën kur kërkohet ndërmarrja e veprimeve konkrete në luftimin e korrupsionit, krijimin e mekanizmave efikas dhe të pandikuar për të hetuar, gjykuar e konfiskuar pasurinë e përfituar në mënyrë të kundërligjshme, Qeveria e Kosovës e bënë të kundërtën, duke shpërbërë Task-forcën antikorrupsionn në Policinë e Kosovës.
Ky vendim sipas LVV-së është i dëmshëm dhe i shërben më shumë mirëmbajtjes së korrupsionit. Kësisoj pengon edhe ato pak mekanizma kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare e pasurisë publike.
"Nuk ka asnjë dyshim se kjo Qeveri e korruptuar edhe për nga mënyra e zgjedhjes, nuk ka as vullnet, as aftësi e as integritet për të luftuar korrupsionin në Kosovë.''
"Por, shfuqizimi i Task-forcës është mesazh inkurajues për zyrtarët e korruptuar e të përfshirë në keqpërdorime të ndryshme të detyrës zyrtare dhe parasë publike.''
''Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës është vënë në anën e keqpërdoruesve, e kundër luftimit të korrupsionit", ka deklaruar LVV.