Hoti: Kjo qeveri është fatkeqësi për Kosovën
Prishtinë, 10 shtator - Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për programin qeverisës së qeverisë së re, deputetët kanë dhënë kritika për qeverinë Hardinaj.
Avdullah Hoti, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se Kosova po hynë në një fazë të errët të rrugëtimit të saj.
"Qeveria u votua pas akordimit me Beogradin, pas tre muajsh pritjeje. Kjo është fatkeqësi për qytetarët liridashës të Kosovës. është e paflashme që pas kaq njohjesh, pas nënshkrimit të MSA-së, Beogradi të vendosë për qeverinë tonë. Në krye të qeverisë është njeriu që ia ka futur flakën Kuvendit të Kosovës. Kjo është ditë fatkeqe për Kosovën", ka thënë Hoti.
Sipas Hotit, vrasjet e pasluftës, korrupsioni dhe krimi i organizuar peshojnë mbi Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
"Lidhja Demokratike bashkë me qytetarët e Kosovës nuk do të lejojë që të na drejtojë kjo qeveri. Pra ne prej sot do të angazhohemi për rrëzimin e kësaj qeverie. Do të përballeni me një opozitë që nuk e keni praë përpara", ka thënë Hoti.
Sipas tij, marrëveshja e koalicionit të kësaj qeverie bie ndesh me koushtetutën, pasi ministrat sipas kushtetutës caktohen nga kryeministri dhe jo nga shefat e partive.
"Pra ne kemi pesë kryeministra dhe jo një kryeministër", ka thënë Hoti. Hoti ka dhënë kritika për numrin e madh të ministrive, kurse si shembull ka përmendur rastin e dikasterit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, që i jepet një njeriu që është i përfshirë në aferën Pronto dhe punon për interesat e grupit të tij.
"Haradinaj duhet të përgjigjet para qytetarëve të Kosovës se çka ju ka premtuar Listës Serbe dhe Beogradit, lidhur me Asociacionin, për komunat e Prillluzhës dhe Gorës", ka thënë Hoti, duke shtuar se ky koalicion i turpëron mijëra invalidë dhe veteranë të luftës që kanë dhënë shumë për lirinë e vendit.
"Të nderuar qytetarë, të nderuar deputetë, mbrëmë Haradinaj kërkoi të votohet në bazë të një dokument të shkurtër dhjetëfaqësh që nuk ka asnjë përmbajtje. Kjo tregon se Ramush Haradinaj mision të vetëm ka pasur të bëhet kryeministër dhe jo t'u japë përgjigje problemeve me të cilat përballet shteti i Kosovës", ka thënë Hoti, duke shtuar Hardinaj duhet të japë përgjigje se çka do të bëjë me demarkacionin, të cilën e ka ngritur si çështje në kohën sa ka qenë në opozitë.
"Ne LDK do të jemi gardianë të ruajtjes së Republikës së Kosovës, ne para 27 viteve e kemi nisur rrugëtimin për liri e demokraci dhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ne do ta realizojmë këtë mision dhe jo kjo qeveri që bën pazare me Beogradin", ka thënë Hoti.