Hondurasi njeh Republikën e Kosovës
Prishtinë, 3 shtator - Republika e Hondurasit ka njohur sot zyrtarisht Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Vendimi për njohjen e Kosovës i është kumtuar sot Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni nga Ministri i Jashtëm i Republikës së Hondurasit, Mario Canahuati.
Ministri Hyseni dhe Ministri Canahuati gjatë një bisede të gjatë dhe të përzemërt telefonike u pajtuan gjithashtu që menjëherë të fillojnë procedurat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Duke e falënderuar në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministri Hyseni theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të ndërtuar bashkëpunim dhe marrëdhënie të ngushta me këtë vend.
Ndërkaq, ministri Canahuati theksoi se Hondurasi është i vendosur që ta përkrahë Republikën e Kosovës në të gjitha rrafshet dhe institucionet ndërkombëtare si një vend mik me të cilin ka vendosur të ndërtojë marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme miqësore dhe diplomatike.