Homazhe te varri i Rugovës dhe te Kompleksi Memorial në Prekaz
Prishtinë, 17 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe kabineti qeveritar, me rastin e shënimit të 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, bënë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe te Kompleksi Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Pas homazheve te varri i Presidenti Rugova, kryeministri Mustafa tha se sot është një ditë e madhe për të gjithë Kosovën.
8 vjetori i shpalljes së pavarësisë është një vepër shekullore e shumë gjeneratave por edhe e njerëzve që në shekullin e fundit i dhanë vulë shtetndërtimit të Kosovës, siç ishte Presidenti Ibrahim Rugova. Sot, jemi këtu ta nderojmë, të shpallim përkushtimin për vazhdimin e veprës së tij, për ndërtimin e një shteti demokratik një shteti të zhvilluar, një shteti në të cilin të gjithë qytetarët tanë e ndjejnë veten të lumtur dhe do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane, tha kryeministri Mustafa.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka vlerësuar rolin dhe kontributin e Presidentit Rugova në lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Jemi këtu si kabinet qeveritar, në krye me kryeministrin Mustafa, për të kujtuar Presidentin Rugova, në këtë ditë të madhe të Pavarësisë së Kosovës, dhe një respekt për kontributin e Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Isa Mustafa dhe kabineti qeveritar, po ashtu, kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Pas homazheve, kryeministri Isa Mustafa theksoi mirënjohjen e thellë dhe përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës që e ardhmja e vendit të jetë në frymën e asaj për të cilën janë flijuar Familja Jashari dhe ushtarët e tjerë të UҪK-së.
Sot, ne me ndjenjat më të thella tregojmë përkushtimin tonë dhe mirënjohjen për të gjithë ata që i kontribuuan lirisë dhe pavarësisë. Është një monument këtu i lirisë, në një familje e cila i kontribuoi pavarësisë së Republikës së Kosovës, që u sakrifikuan në luftën çlirimtare të Kosovës, që meriton respektin më të madh, meriton përkushtimin më të madh dhe meriton, po ashtu, që e ardhmja e Kosovës të jetë në frymën e asaj për të cilën janë flijuar edhe Familja Jashari dhe shumë ushtarë të UҪK-së, tha kryeministri Mustafa, duke uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, tha se janë sot në Prekaz për të nderuar luftën heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë dëshmorëve të lirisë, heronjve të kombit, të gjithë veteranëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, sakrificën e të gjithë qytetarëve të Kosovës me të cilët ndërlidhet drejtpërdrejtë edhe dita e bërjes së Kosovës së pavarur dhe sovrane.
Ne, çdoherë që jemi në Prekaz, marrim energji të reja, potenciale të reja për të kujtuar edhe më fuqishëm të kaluarën tonë të lavdishme, por natyrisht edhe për të ndërtuar shtetin tonë të ri, në këtë moment kur po e forcojmë dhe po e konsolidojmë vendin tonë, kur po e fuqizojmë subjektivitetin ndërkombëtar. Prandaj, e ardhmja e Kosovës është e sigurt, do të jetë pjesë e NATO-s, e Bashkimit Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sot, është një ditë feste për çdo individ, për çdo familje, për të gjithë kombin shqiptar, për të gjithë qytetarët e Kosovës, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.