Holanda shprehi gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën
Prishtinë, 28 tetor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim njohës ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, Robert Bosch, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon si dhe për bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Mbretërinë e Holandës.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritashëm në mes të dy vendeve. Kryeministri ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ta vazhdojë dhe të avancoj bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Holandës edhe në të ardhmen.
\"Holanda është nga vendet që ka mbështetur proceset e shtetndërtimit në Kosovë dhe ne presim që në të ardhmen ajo të vazhdoj mbështetjen për Kosovën në proceset integruese euroatlantike\", ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Edhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës në proceset e konsolidimit dhe integrimit të saj në strukturat euroatlantike.