Holanda mbështet perspektivën evropiane të Kosovës
Prishtinë, 23 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të mërkurën në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, Frans Timmermans, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Në konferencën për medie të zhvilluar pas takimit, ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që Holanda ka dhënë për Kosovën në dekadat e fundit.
Hoxhaj tha se Kosova është storie e suksesit në kuptimin e shtetndërtimit dhe se Holanda ka pas rol të rëndësishëm në suksesin që ka arritur Kosova në shtetndërtimin e brendshëm dhe të jashtëm.
Ai veçoi përkrahjen e Holandës në kuadër të misioneve ndërkombëtare, për njohjen e Kosovës si dhe për anëtarësimin në organizata të ndryshme rajonale, evropiane dhe botërore.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka thënë se marrëdhëniet politike dhe diplomatike ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyera, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral.
Hoxhaj e ka informuar homologun holandez edhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të arriturat e Kosovës që janë rikonfirmuar edhe në raportin e progresit të 16 tetorit.
Në këtë kontekst, ai tha se Kosova si shtet i ri është e përgatitur për fillimin e negociatave sa i takon nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Besojmë që procesi do të jetë i shkurtër dhe mbi të gjitha jemi të interesuar që Marrëveshja e Stabilizim Asocimit të jetë një marrëveshje e mirëfilltë për Republikën e Kosovës, me të gjitha elementet e saj, sikurse marrëveshjet e tjera të rajonit dhe ky është një hap i parë i rëndësishëm i rrugës sonë pa kthim drejt integrimit në Bashkimin Evropian, tha Hoxhaj.
Ai ka folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në veri si një element kyç i jetësimit të kësaj marrëveshjeje dhe integrimit të komunitetit serb në jetën publike dhe shtetërore të Kosovës.
Ne si MPJ dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e kuptojmë procesin e normalizimit në një trekëndësh vetëm Prishtinë-Bruksel-Beograd, por ne e kuptojmë normalizimin si një proces i cili ndodhë brenda për brenda tërë Bashkimit Evropian, tërë kontinentit evropian dhe në botë.\"
\"Serbia nuk mund ta ndjekë një politikë që të ketë normalizim në një relacion Prishtinë-Bruksel-Beograd dhe ne të na bllokojë në procesin e integrimeve qoftë në BE, qoftë edhe anëtarësimin në organizatat rajonale në Ballkan apo edhe në organizatat botërore, tha Hoxhaj, duke siguruar ministrin Timmermans se Holanda mund të llogarisë në Republikën e Kosovës si një partner i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Holandës, Frans Timmermans tha se Holanda është e angazhuar për partneritet me Kosovën, duke shprehur besimin se dy vendet kanë të ardhme të përbashkët në Evropë.
Ministri Timmermans po ashtu tha se proceset e viteve të fundit kanë krijuar optimizëm lidhur me zhvillimet e ardhshme të Kosovës, si dhe për mundësitë e investimeve ekonomike të Holandës në Kosovë.
Ai veçoi mundësitë e investimeve në bujqësi, në infrastrukturë, në menaxhimin e ujit, në energjinë e ripërtërishme, dhe të shkohet drejt investimeve më të mëdha në Kosovë.
Po ashtu besojmë se mund të ndajmë ekspertizën në aspektin e përvojës diplomatike. Unë do të mirëprisja shumë vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Institutit Holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare Clingendael dhe Ministrisë së Jashtme të Kosovës, tha ministri Timmermans, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë mbështetjen edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të sundimit e ligjit dhe të krijimit të një shoqërie transparente në Kosovë.
Vendi im ndjen një lidhje të fuqishme me vendin tuaj për arsye historike. Ne qëndruam pranë jush në vite shumë të dhimbshme dhe të vështira dhe dëshirojmë që të vazhdojmë që të qëndrojmë pranë jush edhe në vitet e ardhshme të cilat presim që të jenë më të lehta më të mira dhe që do të qojnë në situatë më të dobishme për qytetarët. Unë besoj se kosovarët kanë të drejta të njëjta që të jenë evropianë me të drejta të plota si holandezët dhe popujt e tjerë të Evropës dhe do ta arrijmë atë objektiv. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë që ai objektiv të jetë i arritshëm për të gjithë, tha ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timmermans.