Heroizmi i dëshmorëve është lartësuar në monument përjetësie
Kaçanik, 11 gusht - Komandanti Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarët e tij dëshmorë Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, janë nderuar me një Akademi përkujtimore, duke kujtuar me këtë rast edhe gjithë dëshmorët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht në 16 vjetorin e 10 Gushtit-Ditës së Dëshmorëve të Brigadës 162 Agim Bajrami të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një fjalë përshëndetëse e ka prezantuar kryetari i Komunës, z. Besim Ilazi.
Kryetari Ilazi theksoi se sot po i përkujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë, pikërisht në ditën e rënies së komandantit të parë, Agim Bajrami, me emrin e të cilit më pas emërohet Brigada 162 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Komunën e Kaçanikut.
Sot, në këtë ditë dëshmorësh po e kujtojmë heroizmit e atyre që u flijuan për lirinë e atdheut. Ndaj, me gjithë dhembjen që ndiejmë, kemi kurajon të ndjehemi të nderuar dhe krenarë.
E sot, në këtë ditë të shënuar, me pietet përkulemi para veprës heroike të komandantit Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve të tij: Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, përkulemi për të gjithë ata që luftuan dhe flijuan veten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
Heroizmi i dëshmorëve është lartësuar në monument përjetësie dhe përherë do të ndriçoj rreze lirie... Ata na dhanë emër, na krijuan identitet, ata krijuan një epokë të re, epokë të lavdishme të historisë sonë gjithëkombëtare, ka theksuar kryetari Ilazi.
Ndërkaq fjalë rasti në këtë akademi kushtuar dëshmorëve të Brigadës 162 Agim Bajrami ka prezantuar z. Muzafer Çaka, bashkëluftëtarë.
Ai ka thënë se rënia e Agimit, Besnikut e Xheladinit në atë ditë gushti të vitit 1998 u bë frymëzim për një organizim më të madh e më të mirë të UÇK-së, dhe të popullit të kësaj ane të vendosur për luftë çlirimtare kundër dhunës dhe terrorit shtypës dhe diskriminimit të vazhdueshëm, dhe pushtimit gati njëqindvjeçar të tokave shqiptare nga armiqtë shekullor.
Sot, këta tre dëshmorë të UÇK-së, bashkë me gjithë dëshmorët e lirisë i nderojmë dhe i kujtojmë me krenari dhe pietet të lartë.
Sa herë që shënojmë përvjetorët e dëshmorëve, të kujtojmë veprën e tyre të madhe, e cila na frymëzon për sfidat tona, jo edhe të lehta, për ngritjen dhe ndërtimin e vendit dhe për të shtuar guximin tonë qytetar dhe institucional në shërbim të të gjithëve.
Aktin e flijimit të tyre duhet ndjekur me përkushtim në punë, kreativitet dhe respekt të ndërsjellët për njëri tjetrin dhe atdhedashuri, theksoi mes tjerash, z. Çaka.
Me një fjalë, në emër të Brigadës 162 Agim Bajrami është prezantuar z. Hajrush Kurtaj, ish zëvendëskomandant i Brigadës. Ai theksoi se 10 gushti i vitit 1998 i bënë nderë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i bënë nderë Kaçanikut, i bënë nderë Kosovës dhe mbarë kombit.
Në këtë ditë, para 16 viteve filloi lufta e armatosur në mes forcave çlirimtare dhe atyre okupuese serbo-sllave edhe në Komunën e Kaçanikut.
Në këtë ditë ra heroikisht komandanti i parë i UÇK-së në Komunën Kaçanikut, Agim Bajrami me dy bashkëluftëtarët e tij Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, duke dhënë kushtrimin e lirisë në Gabrricë.
Ai më tej shtoi se Komanda e Brigadës duke e vlerësuar të rëndësishme këtë ngjarje historike , më 28 nëntor të vitit 1998 mori vendim që Brigada 162 të emërohet me emrin e komandantit Agim Bajrami dhe 10 gushti të caktohet Dita e Brigadës dhe Ditë e Dëshmorëve të Brigadës.
Për nderë të 10 gushtit Ditës së dëshmorëve, kryetari i Komunës, z. Besim Ilazi me Mirënjohje i ka nderuar: z. Shefket Palloshi, veteran i UÇK-së dhe video-kronist i luftës; z. Izet Krivenjeva, foto-kronist i luftës dhe aktiviteteve përkujtimore e gjithëkulturore dhe z. Milaim Mezini, këngëtar i mirënjohur autor i dhjetëra këngëve për dëshmorët dhe vullnetar shembullor i aktiviteteve kulturore.
Në Akademinë përkujtimore të mbajtur në Pallatin e Kulturës Xheladin Kurtaj në Kaçanik kanë performuar Marogona Qerkezi me flaut dhe solokëndim, Malsore Prushi deklamoi vargje poetike ndërsa këngë për dëshmorët këndoi Milaim Mezini.