Hashim Thaçi udhëtoi për një vizitë zyrtare në Bruksel
Prishtinë, 16 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Bruksel. Me këtë rast, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me udhëheqës të lartë të Bashkimit Evropian, NATOs dhe shtetit belg.
Kryeministri Thaci në Bruksel do të pritet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Catherine Ashton dhe nga komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fule.
Kryeministri Hashim Thaçi në selinë e Aleancës Veriatlantike të NATO-s do të pritet nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Kryeministri Thaçi në Bruksel do të zhvillojë një takim edhe me homologu e tij, kryeministri e Belgjikës Yves Leterme, shteti i të cilit që nga data 1 korrik do ta marrë udhëheqjen e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian.
Në takimet e kryeministrit Thaçi me udhëheqësit e lartë të BE-së do të rikonfirmohet thellimi i të gjitha përkushtimeve për perspektivën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, për marrëveshjen tregtare me BE-në dhe çështje tjera me interes.
Pas marrjes së pyetësorit për Marrëveshje Tregtare me BE-në, në muajt në vijim Kosova pret marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kryeministri Thaçi do të prezantojë zhvillimet pozitive në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.