Haradinaj u nderua me titullin titullin Qytetar Nderi i Komunës së Bushati
Bushat, 11 maj - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është nderuar sot nga Këshilli i Komunës së Bushatit, në Republikën e Shqipërisë, me titullin Qytetar Nderi i Komunës së Bushatit, me motivacionin Luftëtar dhe simbol i luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës, krenari dhe figurë e shquar kombëtare, në dimensionin historik, burrështeti dhe politikan i vizioneve të larta, për kontribute të spikatura shtetformuese dhe euroatlantike.
Zef Hila, kryetar i Komunës së Bushatit, duke i ndarë këtë titull kryetarit Haradinaj, ka thënë: Kam kënaqësinë sot të ndajë me ju një mirënjohje të vecantë për zotëri Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Republikës së Kosovës dhe aktualisht deputet dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një prej ikonave dhe figurave të shquara të Republikës së Kosovës, mikun e të gjithë shqiptarëve, i cili kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij për liri dhe pavarësi të Kosovës, si një strateg i shquar dhe një politikan i spikatur.
Ne kurrsesi nuk mund të harrojmë kontributin e z. Haradinaj, si komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së. Falë kontributit të tij dhe të shumë udhëheqësve tonë, u bë e mundur arritja e pavarësisë së Kosovës. Fatmirësisht, sot, dy shtete dhe një komb, kemi një harmoni të shkëlqyer, andaj kam kënaqësinë sot ti jap titullin Qytetar Nderi i Komunës së Bushatit, mikut tonë dhe të të gjithë shqiptarëve, z. Ramush Haradinaj, ka thënë kryetari Hila.
Ndërkaq, kryetari Haradinaj, në shenjë falënderimi i ka dhuruar Komunës së Bushatit Hartën e Kosovës, të punuar me kristale të Kosovës,.
Për mua sot është një nder që jam në Bushat dhe që të jem i nderuar prej jush. Ky nder më kthen edhe në të kaluarën, e cila nuk ishte e lehtë për të gjithë ne, në përpjekjet tona për liri, po ashtu, më kthen në rrugëtimin tonë prej atëherë e deri në ditët e sotme. Por, ky nder që më bëni sot na e bën më të qartë rrugën që e kemi para vetes. Shqiptarë, kudo që jemi në trojet tona, jemi në një rrugëtim që është i lidhur me secilin prej nesh, ka thënë kryetari Haradinaj.
Me këtë veprim ju, me këtë nder, e mundësoni, e përshpejtoni dhe i sjellni më afër Bushatin me gjithë Kosovën dhe me të gjithë shqiptarët. Këtë nder, titullin Qytetar Nderi, ua atribuoj të gjithë atyre që nëpër breza kanë bërë shumë që të vijë kjo ditë, që ta kemi këtë ditë në Bushat dhe që të jemi së bashku, ashtu si ç jemi sot, ka thënë Haradinaj.
Gjatë ditës kryetari Haradinaj vizitoi Shkollën e Mesme Profesionale Kombëtare dhe Muzeun Ndre Mjeda, në komunën e Bushatit.