Haradinaj: Thaçi zëvendësoi të keqën me të keqe
Prishtinë, 2 prill - Shkarkimin e disa ministrave në Qeverinë e Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur zëvëndësim i një qeverisje të keqe me një tjetër qeveri të keqe.
Sipas Haradinajt, qeveria Thaçi ka shkarkuar ministrat që nuk kanë pasur ndikim dhe ka emëruar disa ministra të rinj që nuk do të bëjnë asnjë ndryshim.
Për situatën e krijuar në vend lideri i opozitës, ka fajësuar presidentin Fatmir Sejidu dhe kryeministrinë Hashim Thaçi, duke theksuar se qytetarët e Kosovë nuk meritojnë të jenë siç tha Haradinaj, peng i një qeveri të korruptuar dhe të kalbur.
Ramush Haradinaj tha se riformatimi i qeverisë nuk ka për qëllim përmirësimin e gjendjes së qytetarëve, por pëkundrazi forcimin e lidhjes ndërmjet krerëve të PDK-së dhe LDK-së, e cila gjë, sipas tij, po e qon vendin në humbje. Këtë hap të zëvendësimit të ministrave, Haradinaj e quajti zëvendësim të së keqës me të keqe.
Ramush Haradinaj, u shpreh se kritika ndaj qeverisë së Kosovës ka qenë e plotë dhe jo sektoriale dhe ndërrimet që janë bërë, sipas nesh janë bërë për të mbijetuar këtë qeveri dhe jo për qeverisjen dhe për përmirësimin e gjendjes e qytetarit në vend. Këto ndërrime e vërtetojnë një lidhje të fortë në mes kreut të PDK-së dhe LDK-së me një agjendë humbëse për vendin, ku përfshihen të gjitha dështimet politike, diplomatike dhe ekonomike të Kosovës.
Më tutje, Haradinaj shtoi se AAK vlerëson se shkarkimi i disa ministrave të Qeverisë së Kosovës është zëvendësim i një qeverie dhe qeverisje të keqe, me një tjetër qeveri të keqe dhe se janë ndërruar disa ministra për të mos ndërruar asgjë. Kjo qeveri vërteton lidhjen. Njëkohësisht, zhvillimi i fundit blenë kohë për qeverinë Thaçi dhe i vjedh kohën Kosovës, qytetarëve të vendit dhe agjendave të Kosovës.
Ramush Haradinaj theksoi se qëndrimi ynë është se dalja më e mirë për Kosovën, është mbajtja e zgjedhjeve dhe ndërprerja e praktikave qeverisëse humbëse që po i shkaktojnë humbje Kosovës
Ndërkaq, Blerim Shala, lidhur me riformatizimin e qeverisë shtoi me ngjarjet e fundit po thellohet gjithnjë e më shumë vija ndarëse midis kësaj qeverie dhe qytetarëve të Kosovës, me përkeqësimin e mëtejmë të gjendjes politike, ekonomike dhe sociale në vend. Ne si Aleancë jemi të bindur se qytetarët e Kosovës gjithnjë e më shumë do ti besojnë vizionit dhe ofertës së Aleancës dhe se në zgjedhjet e ardhshme Aleanca dhe koalicioni i gjerë që do ta formojë kjo parti do të dalë fituese, e në këtë mënyrë do të mundësohet që Kosova të udhëhiqet denjësisht
Lidhur me atë se nënkryetari Ahmet Isufi është shprehur se është bërë njëfarë marrëveshje mes z.Thaci dhe Lutfi Hazirit për blerjen e votave në Gjilan dhe se a ndjehet AAK, në këtë rast të tradhtuar nga partneriteti që ka pasur për Gjilanin me LDK-në, kryetari i AAK-së u shpreh: Nuk kisha shtu më shumë përpos atyre që kanë thënë kolegët, ata janë më në dijeni për gjendjen në terren. Për dijen time, shumë çka po duket ashtu siç është thënë dje, ose po vërtetohet ajo gjendje.
Pyetjes se si e sheh AAK futjen në qeveri të z.Haziraj dhe z.Bukoshi, dy zëra mjaftë kritik gjatë zgjedhjeve dhe se a besoni pastaj në këtë koalicionin e gjerë?, Ramush Haradinaj iu përgjegj: Po vazhdon blerja e paqes, e kohës, ndryshe thënë edhe blerja e kundërshtarëve, pra ata që kanë qenë zëra kritikë, sot janë bërë pjesë e ekipes.
Se a e kanë zbehur mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me AAK-në, ndryshimet e qeverisë Thaci nga radhët e LDK-së, Blerim Shala thotë ne jemi të bindur që votuesit e LDK-së, ata që kanë pas besimin në vizionin e LDK-së, janë gjithnjë më të zhgënjyer, se diçka tjetër është ofruar në fushatë parazgjedhore e diçka tjetër po ofrohet javët e fundit. Ai votues meriton një LDK më ndryshe, më të fortë, por ne si Aleancë jemi të sigurt që në muajt vijues dhe kur të mbahen zgjedhjet, jo vetëm votues të LDK-së, por edhe të PDK-së dhe votues që deri më sot nuk kanë votuar do të përzgjedhin opsionin e aleancës për të qeverisë me Kosovën.
Për konkludimin e gazetarëve se ministrat e shkarkuar janë më së paku të përfolur nga mediat dhe nga shoqëria civile dhe pyetjes a mendoni se tjetërkush është dashur të shkojë në kuadër të riformatizimit të qeverisë?, z.Haradinaj shtoi: nuk mendojmë që e keqja e kësaj qeverie ka ardhë nga fundi i saj por nga kreu i saj, mendojmë që për gjendjen në vend fajtor kujdestarë i parë është kryeministri Thaçi dhe presidenti Sejdiu. Nuk është kritikuar qeveria në baza sektoriale që me mujt me e shëru atë nga fundi, ajo është kritiku për një agjendë humbëse, korrupsion në rritje, ndërhyrje në sektorin e drejtësisë dhe sektorë të tjerë dhe për mungesë të agjendave zhvillimore dhe kreu i vendit për me e shpëtu veten nga gjendja që i ka sjellë vendin edhe veten ka vepru si ka vepru.
Lidhur me aë se as PDK, e as LDK nuk kanë dhënë arsyet se pse i kanë zëvendësuar pikërisht ata ministra nga dy partitë, Blerim Shala shprehu vlerësimin e AAK-së: Ata nuk kanë dhënë kurrë arsye as pse e kanë bërë koalicionin dhe pse po e mbajnë koalicionin, kështu që nuk duhet të çuditen ministrat e shkarkuar që nuk ka kurrfarë shpjegimi pse ka ndodhë ky zëvendësim dhe cili është motivi i ruajtjes së këtij koalicioni, pos atë që tha edhe kryetari Haradinaj - pra mbijetesa e kësaj qeveria. Qëndrimi, linja jonë kategorike është se mbijetesa e kësaj qeverie shënon fundosjen e interesave jetikë të Kosovës. Prandaj, sa më shpejtë që është e mundur duhet të organizohen zgjedhjet e reja, ato nuk janë të jashtëzakonshme, ju kisha sugjeruar që të konstatoni këtë fakt, sepse siç e dini me Pakon e Ahtisarit, ne qysh moti është dashtë ti mbajmë zgjedhjet parlamentare.