Haradinaj: Sava Janjiq duhet të jetë për Kosovën në UNESCO
Prishtinë, 21 korrik - Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka vlerësuar se edhe vetë Sava Janjiq duhet të jetë për Kosovën në UNESCO.
Sipas Haradinajt, banorët e Deçanit me shekuj kanë kultivuar vlera të larta kulturore e trashëgimore duke dëshmuar me përkushtim respektin ndaj çdo feje dhe etnie në këtë rajon.
Nisur nga lufta e fundit ku Dukagjini u dëmtua masovikisht dhe në të gjitha sferat e jetës - nga viktimat në njerëz e pasuri private dhe sidomos në ato trashëgimore ku në mënyrë barbare u shkatërruan me dhjetëra kulla historike nga regjimi dhe forcat e Millosheviqit - qytetarët e Dukagjinit në përgjithësi dhe Deçanit në veçanti nuk u hakmorën por me shumë kujdes e ruajtën Manastirin e Deçanit, ka thënë Haradinaj.
Ai ka konsideruar se Kosova në UNESCO do të jetë edhe më e sigurt me vlerat e saj historiko kulturore.
Prandaj shqetësimi i Atit Sava nuk qëndron ashtu sikur nuk qëndron fakti se ky manastir ruhet me tankse. Siguria e këtyre vlerave është në zemrën e deçanasve. Dhe për këtë shkak edhe Sava Janjiq duhet të jetë pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ka thënë Haradinaj.