Haradinaj: Qeveria Mustafa, qeveri e mbytjes së shpresës për qytetarët
Prishtinë, 18 mars - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në konferencën e sotme për media, në 100-ditëshin e Qeverisë së Kosovës, e ka quajtur atë qeveri të gjumit dhe qeveri të pizhamave, qeveri të lidhjes së shkurtër të kinse-oligarkisë dhe të mafias, nëntokës dhe krimit të organizuar.
Kjo qeveri e ka mbytur shpresën e popullit të Kosovës, ka nxitur grevat, protestat, pakënaqësinë dhe braktisjen e vendit, shkaku i politikave mashtruese, të premtimeve të rrejshme dhe dështimeve të njëpasnjëshme, ka thënë kryetari Haradinaj, në cilësimin e punës së Qeverisë Mustafa, në 100-ditëshin e saj.
Korrupsioni dhe mungesa e vizionit është një ndër shkaktarët kyç të mbytjes së shpresë së qytetarit të Kosovës, ka thënë kryetari Haradinaj. Vetëm një ndryshim i përgjithshëm do ta ndërrojë situatën në vend dhe do ta kthejë shpresën e qytetarit të Kosovës, ka potencuar kryetari Haradinaj, në konferencën e sotme për media.
Ne kemi evdidentuar mbi 100 dështime të kësaj qeverie, në këto 100 ditë, por secili nga ju mund të evidentojë nga 100 të tilla, kë thënë kryetari Haradinaj, në fund të këtij prezantimi para medias.
Në vijim janë mbi 100 dështimet e evidentuara, në 100-ditëshin e qeverisë Mustafa.
100 ditë, mbi 100 dështimet e Qeverisë Mustafa-Thaçi
1. Qeveria Mustafa-Thaçi konfirmoi se premtimi për 120.000-200.000 vende të punës ishte mashtrim parazgjedhor.
2. Qeveria Mustafa-Thaçi konfirmoi se premtimi për rritje pagash 40% dhe 25% ishte mashtrim parazgjedhor.
3. Qeveria Mustafa Thaçi konfirmoi se Kontrata Kolektive ishte një mashtrim parazgjedhor.
4. Qeveria Mustafa-Thaçi konfirmoi se fondi i punësimit ishte fond i mashtrimit parazgjedhor.
5. Qeveria Mustafa-Thaçi konfirmoi se fondi për shërimin e sëmundjeve të rënda ishte mashtrim parazgjedhor.
6. Edhe Kryeministri Mustafa, edhe kryeministri Thaçi, konfirmuan se programet e partive të tyre, LDK dhe PDK, ishin programe të bazuara në mashtrim elektoral.
7. Në këtë 100-ditësh u dëshmua se koalicioni PDK-LDK është vazhdimësi besnike e koalicionit të mëparshëm PDK-AKR. Vetëm emrat e individëve ndryshojnë. Logjika është tërësisht e njëjtë.
8. Kryeministri Mustafa e mashtroi Kosovën shumë herë gjatë kësaj periudhe.
9. Kryeministri Mustafa premtoi zvogëlim të resorëve ministrorë, por pasi që u bë kryeministër e rriti qeverinë edhe për dy ministri.
10. Kryeministri Mustafa premtoi, së pari në janar, pastaj në shkurt, por ende nuk prezantoi program qeveritar. U mbushën 100 ditë pa program qeveritar.
11. Kryeministri Mustafa premtoi rishikim të të gjitha vendimeve të Qeverisë Thaçi, pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, por ai asnjë rishikim nuk e bëri.
12. Kryeministri Mustafa është promotor kryesor i implementimit të vendimeve të dëmshme të qeverisë Thaçi.
13. Kryeministri Mustafa buxhetin e përgatitur nga qeveria Thaqi, e të cilin e kishte kritikuar ashpër, e aprovoi dhe e dërgoi në Kuvend pa asnjë ndryshim.
14. Kryeministri Mustafa nuk ka guxim që të përmbyllë procesin e konstituimit të qeverisë. Ai dhe kryeministri Thaçi çdo javë kontrabandojnë në heshtje nga dy-tre zëvendësministra, të frikësuar se zgjedhja e menjëhershme shkakton reaksion në partitë e tyre.
15. Kryeministri Mustafa kishte premtuar më shumë konsideratë për barazinë gjinore në qeveri. Vetëm dy femra morën përgjegjësi ministrore.
16. Qeveria Mustafa-Thaçi e mbyti shpresën në Kosovë. Mbi 100.000 qytetarë e braktisën Kosovën gjatë këtij 100-ditshi.
17. Qeveria Mustafa-Thaçi ishte indiferente në procesin e ikjes masive të qytetarëve nga Kosova.
18. Qeveria Mustafa-Thaçi, në procesin e ikjes masive të qytetarëve kishte vetëm një preokupim, që u shndërrua në sllogan: \"Ne nuk jemi fajtorë\".
19. Mosrespektim i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për ndaljen e Migrimit masiv.
20. Kryeministri Mustafa nuk deshi ti vizitojë qytetarët që largoheshin, sepsa ata kishin iPhon-ë.
21. Kryeministri Mustafa, në vend të keqardhjes për vdekjen e një fëmije shqiptar, me sindrom daun, në Suboticë, ai tregoi gishtin e fajtorit tek prindërit e fëmijës, thuaj se prindërit nga vullneti i lirë e kishin braktisë Kosovën.
22. Kryeministri Mustafa premton se liberalizimi i vizave do të ndodhë në vitin 2015, kurse vartësi i tij, ministri Çollaku, thotë ndoshta në vitin 2016.
23. Kryeministri Mustafa nuk e lufton asnjë dukuri negative në shoqëri, por në faqen e tij në Facebook jep konstatime dhe spekulime, sikur të ishte kryetar i një organizate joqeveritare, e jo kryeministër.
24. Faqja e Facebookut e Isa Mustafës, ka zëvendësuar faqen zyrtare të Kryeministrit të Kosovës.
25. Aktivitetet që më së shumti vlejnë të përmenden në këtë faqe, janë fshirja e komenteve të papëlqyeshme dhe mobilizimi i lartë i ministrave dhe i bashkëpuntorëve të kryeministrit në \"Like\", për çkado që të thotë kryetari i LDK-së.
26. Në faqen zyrtare të Kryeministrit, lajmi i vetëm që vlen të përmendet, është ai se \"Kryeministri merr pjesë në mbledhjen e qeverisë....\". Është mirë që Isa Mustafa të fillojë ti drejtojë ato.
27. Kryeministri Mustafa, në bazë ditore konstaton gjendjen e vështirë në shumë sektorë, por nuk flet për asnjë vendim që përmirëson gjendjen në ata sektorë.
28. Qeveria e Kosovës nuk aprovon ligje e as nisma të tjera legjislative, por është bllokuese e çdo nisme në shërbim të qytetarëve.
29. Kryeministri Mustafa dhe partia e tij, LDK, gjithmonë kanë potencuar se SHIK-u është fajtor për shumë të këqija që i kanë ndodhë Kosovës pas luftës, por, tani, LDK, me përjashtim të disa deputetëve, kundërshton hetimin e kësaj organizate ilegale.
30. Kryeministri Mustafa harron që është Kryeministër dhe kritikon Radiotelevizionin e Kosovës. Kërkon më shumë hapsirë në këtë institucion dhe në këtë medium.
31. Kryeministri Mustafa nuk është fare i interesuar të dijë për keqmenaxhimin dhe keqëpërdorimin e mundshëm të parasë publike në RTK, por mbulimi dhe zbukurimi i aktiviteteve të tij është i vetmi preokupim për të.
32. Kryeministri i Mustafa informohet nga portalet për emërimin e drejtorit të PTK-së dhe në mënyrë të kundërligjshme tenton ta anulojë këtë vendim të Bordit të PTK-së. Dhe, natyrisht, pa sukses.
33. Qeveria e Kosvës ka vetëm në letër zëdhënës të Qeverisë. Zëdhënësi, i cili në të njëjtën kohë është edhe ministër, nuk është i informuar apo nuk ka qasje.
34. Asnjë vend pune nuk është krijuar gjatë qeverisjes Mustafa-Thaçi.
35. Asnjë kompani e huaj nuk ka shprehur interesim të investojë në Kosovë.
36. Kompanitë gjermane po largohen nga Kosova.
37. Klanet e oligarkëve të PDK-së dhe LDK-së vazhdojnë ti mbajnë nën kontroll doganat, minierat dhe resurset tjera financiare.
38. Qeveria PDK-LDK, amnistoi SHIK-un, Sigurimin e Atdheut dhe mosllogaridhënien për 3-përqindëshin.
39. SHIK-u vazhdon të forcohet në institucionet e Kosovës, me bekimin e lidershipit të LDK-së.
40. Të hyrat doganore si dhe ato të administratës tatimore, janë në rënie e sipër.
41. Ekonomia e Kosovës vazhdon të degradohet.
42. Vazhdon rritja e informalitetit dhe krimit të organizuar.
43. Ministri i zhvillimit ekonomik në mungesë të ideve për avancim të resorit të tij, merret me rregullimin administrativ të natalitetit në Kosovë
Qeveria bëri thirrje të ulet nataliteti në Kosovë, përkundër faktit se statistikat tregojnë që familjet kosovare kanë zvogëlim të madh të numrit të fëmijëve. Qeveria tha se varfëria në Kosovë po shkaktohet nga numri i madh i fëmijëve. Një fyerje dhe politikë qartazi armiqësore.
Kontrata 5 milionëshe e dhënë nga Minstria e Arsimit pa tender.
Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina para kolapsit financiar për shkak të mashtrimeve elektorale. Asnjë ide dhe inicativë nga Qeveria e Kosovës.
47. Problemet me energji vazhdojnë dhe diskriminimi i qytetarëve në karakteristika socio-ekonomike vazhdon (fshatrat, lagjet e varfëra dhe periferike ballafaqohen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike).
48. Qytetarët e Kosovës plaçkiten sistematikisht në faturimin e energjisë elektrike.
49. Kryeministri Mustafa mashtroi qytetarët e Kosovës me kinse faljen e borxheve publike.
50. Diaspora dhe potenciali i saj investiv, nuk është pjesë e asnjë kalkulimi qeveritar.
51. Diaspora vazhdon të injorohet në çdo nismë të kësaj qeverie, ashtu si dhe nga qeveria paraprake.
52. Disiplina fiskale, që është promovuar nga qeveria, është rrënuar që në fillim me rritjen e shpenzimeve qeveritare.
53. Qeveria Mustafa-Thaçi e ka rritur luksin për zyrtarët e rinj qeveritarë. Shumica e ministrave renovojnë zyrat.
54. Derisa ishte Kryetar i Prishtinës, Isa Mustafa pothuajse për çdo ditë kërkonte Ligjin për Prishtinën. Tash si Kryeministër, asnjë veprim nuk e ka bërë për këtë. Kjo dëshmon hakmarrje politike ndaj qytetarëve të Prishtinës.
55. Çmimet e derivateve në tërë botën kanë rënë drastikisht, kurse në Kosovë, në këto 100 ditë, çmimi i derivateve ishte dhe vazhdon të jetë më i larti në rajon.
56. Ministrja e vetëflijuar e Tregtisë dhe Industrisë, çmimet e derivateve nuk i sheh si pengesë, aq më parë kur ky sektor kontrollohet nga njerëzit e afërt me partinë e saj.
57. Kryeministri thotë se jemi larg shërbimeve të duhura për konsumatorë. por nuk thotë asnjë vendim që ka marrë për të përmirsuar pozitën e konsumatorit.
58. Kjo qeveri nuk u mor për asnjë moment, gjatë këtyre 100 ditëve, me zgjidhjen e problemit të pagesës për punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajit, të cilët vazhdojnë grevën e tyre maratonike.
59. Asnjë nga bordet e ndërmarrjeve publike nuk është plotësuar.
60. Bordi i Agjencionit për Privatizim është ende i pakompletuar.
61. Qeveria e Kosovës nuk ka ide se çfarë kualiteti i ushqimit importohet. Çështja e miellit dhe reagimi i qeverisë, ishte si një palë e tretë në këtë temë.
62. Kjo qeveri, popullit, në vend të miellit i servoi krunde.
63. Menagjimi i kompleksit \"Trepça\" dhe mungesa e vizionit për të ardhmen e saj, është reflektim i kapacitetit të tashëm qeverisës në Kosovë.
64. Ndryshimi mbrenda natës i vendimit për Trepçën, tregoi fuqinë politike që Qeveria e Serbisë e ka mbi Qeverinë e Kosovës.
65. Asnjë veprim i vetëm nuk ka ndodhë në mbrojtje të ambientit në Kosovë.
66. Mungesë totale e planifikimit: Ministri Zharku tha se TVSH-ja për produktet bazike do të jetë 0 (zero) për qind. Ministri Hoti të nesërmen tha se do të jetë 6-7 për qind. Ministria e Financave zyrtarisht konfirmoi se do të jetë 8 për qind.
67. Festa e Pëvjetorit të 7-të të Pavarësisë së Kosovës, ishte në nivel të shënimit të një përvjetori të themelimit të ndonjë dege të LDK-së.
68. Qeveria Mustafa-Thaçi është fajtore për dëmet e mëdha materiale dhe lëndimet e shumë policëve dhe protestuesve gjatë protestave të shkurtit.
69. Fanatizmi i Kryeministrit Mustafa dhe z. Thaçi, për mosshkarkimin e ministrit Jabllanoviç, rezultoi në dëme serioze materiale, por edhe me dëmtimin e imazhit të Kosovës.
70. Policia e Kosovës u keqpërdor për interesa politike të duetit Thaçi-Mustafa.
Asnjë ide dhe as plan për profesionalizimin e Policisë së Kosovës, reformimin e saj strukturor dhe përmirësimin e performancës profesionale.
Politizim të Inteligjencës përmes militantizimit partiak
73. Mëngët e përvjelura dhe këmishat e shpërthekuara të z. Mustafa dhe z. Thaçi, në mbrëmjen e protestave, duhet të ishin për punë e jo për dhunë. Kërcënime të tilla nuk pranon populli i Kosovës, e aq më pak iu frikësohet atyre.
74. Policia e Kosovës vazhdon të mbetet e pajisur keq dhe me mungesa serioze të kapaciteteve për ushtrim të funksionit të sigurisë.
75. Kryeministri Mustafa, gjatë këtij 100-ditëshi, nuk është ndier asnjëherë i fyer nga komentet e ministrit të tij, Aleksandër Jabllanoviç.
76. Kryeministri Mustafa nuk është ndier i fyer as nga emërimi i rrugës \"Sllobodan Millosheviç\", e as nga përmendoret e ngritura të vojvodëve serbë nëpër Kosovë. Kryeministri Mustafa fyhet vetëm kur flet akademik Rexhep Qosja.
77. Kryeministri dhe stafi tij fyejnë gazetarët kur shkruajnë apo bëjnë pyetje të padëshiruara, fyen OJQ-të si përfitues fondesh, kurse opozitën e lufton me numra në parlament dhe indeferencë ndaj çdo ideje.
78. Kryeministri Mustafa ka paralajmëruar vënien e TVSH-së për mediat, si masë presioni ndaj tyre.
79. Kryeministri thotë se sdo të ketë vend për monopol dhe oligarkë, por nuk merr asnjë vendim në funksion të kësaj deklarate.
80. Kryeministri flet për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kazinove, por nuk merr asnjë vendim e asnjë veprim kundër këtyre dukurive.
81. Në tërë programin \"jozyrtar\" të qeverisë, vetëm 12 herë përmendet korrupsioni, dhe atë vetëm në kuptim përshkrues.
82. Asnjë veprim nuk është ndërmarrë për luftimin e drogës nëpër shkollat e Kosovës apo çfarëdo lufte kundër drogës apo ndonjë forme tjetër të krimit të organizuar.
83. Mungesa e sigurisë në shkollat publike, është në rritje. Shembujt janë të shumtë.
84. Kryeministri Mustafa \"shkëlqeu\" në Bruksel, kur nënshkroi marrëveshje të dëmshme për Kosovën në raport me Serbinë dhe krijimin e gjykatave në veri. Vazhdimi i bisedimeve në Bruksel pa autorizim të Kuvendit.
85. Bashkëkryeministrat Mustafa-Thaçi vazhdojnë ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
86. Zgjedhja e Kryeprokurorit dhe parodia me këtë post është lojë e ndytë e duetit Thaçi-Mustafa.
87. Ajo që po ndodhë gjatë këtij 100-ditëshi me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, do të ishte e mjerushme po të ndodhte në organizatën e simpatizuesve të ndonjë klubi futbollistik. Dhe kjo është meritë e duetit Thaçi-Mustafa.
88. Qeveria shkel embargon ndaj Rusisë. Ministri Abrashi, që është edhe zëdhënës i Qeverisë, importon Vodka nga Rusia.
89. Gjatë këtij 100-ditëshi gjyqësori në Kosovë ka arritur pikën më të ultë të funksionimit, që nga ditët e para të Kosovës së pasluftës.
Proces i montuar për përzgjedhjen e kandidatëve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjyqtarja Valdete Daka ka ngritur këtë çështje publikisht. Asnjë reagim nga Qeveria.
91. Qeveria e koalicionit LDK-PDK, e preokupuar me arritjen e numrit të premtuar të deputetëve për votim të Gjykatës Speciale, e ka shndërruar këtë institucion në \"lavatriqe\", e cila, sipas tyre, do të pastrojë UÇK-në.
92. Qeveria Mustafa-Taçi po e dëmton rezistencën dhe luftën për liri të popullit të Kosovës, me tërë atë që po ndodhë me listat e veteranëve të luftës.
93. Si të gjithë sektorët, edhe shëndetësia në këtë periudhë ka shënuar përkeqësim.
94. Emërimi i një ministri tërësisht anonim ishte shenjë e parë se ky sektor do të vuajë.
95. Mamografi i siguruar me shumë mund, nga Grupi i Grave Deputete, po mbahet në garazhdë dhe po amortizohet, përderisa shumë gra të Kosovës e kanë jetë a vdekje shërbimin e mamografit.
96. Afera me foshnje në Klinikën e Gjinekologjisë, mbeti tërësisht e paadresuar.
97. Vazhdon mungesa e barnave në vend.
98. Barna të skaduara dhe me origjinë të dyshimtë, vazhdojnë tiu shiten qytetarëve të Kosovës.
99. Vazhdon politika e gabuar kadrovike.
100. Vazhdon loja dhe paqartësinë, edhe në këto 100-ditë, me sigurimin shëndetësor në vend.
101. Ministri i Punëve të Jashtme, në këto 100 ditë, e promovoi Kosovën në gjuhën shqipe.
102. Asnjë vend nuk e njohu Kosovën, në këto 100 ditë.
103. Kosova në këto 100 ditë përkeqësoi imazhin e saj.
104. Agjenda kryesore e Qeverisë Mustafa në këtë 100-ditësh ishte mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
105. Diplomacia e Kosovës vazhdon të ketë probleme serioze në funksionim.
106. Kryeministri Mustafa brenda ditës \"ftohet\" dhe demantohet për vizitë në Gjermani.
107. Në vend që të lobohet dhe përfaqësohet seriozisht për Kosovën, shteti ynë po shndërrohet në parodi diplomatike.
108. Kosova vazhdon të tkurret territorialisht, në të gjitha këndet, me vënien e demarkacionit. Së fundmi, një vend fqinj hyri me letra rreth 10 kilometra në brendi të Kosovës.
109. Qeveria Mustafa-Thaçi, për këto 100 ditë, u dëshmua, funskionalisht, peng i raporteve brenda koalicionit dhe peng i drejtpërdrejtë i Qeverisë së Beogradit.
110. Qeveria Mustafa-Thaçi, u dëshmua qeveri e klaneve, interesave të ngushta dhe mbijetimit politik të njëri-tjetrit, nën formualën: edhe me dreqin, enkas në të mirë të pozitave dhe pozicioneve të tyre.