Haradinaj priti biznesmenin e shquar krijues, Fehmi Fetahun
Prishtinë, 11 prill - Sot në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës aderoi biznesmeni gjilanas dhe veprimtari, Fehmi Fetahu.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e vlerësoi lart figurën dhe personalitetin e Fetahu, i cili njëherit është edhe kryetar i Shoqatës së Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Fehmiu shquhet në fushën e biznesit, si veprimtar i hershëm dhe njeri krijues në jetë dhe në biznes. Puna dhe kontributi i tij në Aleancë, do të jetë shumë i mirëseardhur dhe i çmueshëm, për vendin, synimet dhe angazhimet tona të përbashkëta për një mjedis më të mirë e më të zhvilluar, me ngritje ekonomike dhe gjenerim të vendeve të reja të punës. Jam i bindur se me Fehmiun dhe kolegë të tjerë, ekspertë dhe krijues fushash të ndryshme, po e ndërtojmë ofertën më të mirë për qytetarin dhe vendin tone, ka thënë kryetari Haradinaj, në prononcimin për media, pas aderimit të sotëm.
Ndërsa, anëtari më i ri i AAK-së, Fehmi Fetahu, ka thënë se ndihet i nderuar që nga sot është pjesë e këtij subjekti politik dhe se në AAK ka gjetur hapësirën dhe mundësitë më të mira për të ofruar veten në shërbim të vendit dhe proceseve.
Ai ka thënë se arsye e aderimit të tij në AAK janë koncepti, vizioni dhe lidershipi i sinqertë, i vendosur dhe i hapur i kryetarit Haradinaj dhe platforma e Aleancës për zhvillimin e vendit.