Haradinaj përgëzoi nismën 100 shtëpi për shqiptarët në Luginë
Prishtinë, 29 qershor - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, takoi sot në selinë e AAK-së përfaqësues të Fondit Humanitar për Kosovën Lindore - Preshevë, Bujnaoc e Medvegjë, me seli në Zvicër, me të cilët bashkëbisedoi për situatën dhe zhvillimet në Luginë të Preshevës, pozicionin e shqiptarëve atje dhe, posaçësrisht, për iniciativën e këtij Fondi për ndërtimin e rreth 100 objekteve familjare-shtëpive për familjet shqiptare në trevat e Luginës.
Këto shtëpi do të destinohen për familjet pa kulm mbi kokë, të cilëve fuqia ekonomike nuk iu jep mundësi që këta të bëjnë vetë.
Kryetari Haradinaj, pasi që e mirëpriti iniciativën, shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e tij të plotë për këtë projekt, duke i përgëzuar përfaqësuesit e Fondit Humanitar për Kosovën Lindore - Preshevë, Bujnaoc e Medvegjë, dhe duke i ftuar që kjo të mos jetë iniciativa e vetme në mbështetje të një jete më të mirë dhe më të sigurt të shqiptarëve në trevat e tyre historike në Luginë të Preshevës.