Haradinaj: PDK-së i kemi dalë borxhi
Prishtinë, 8 mars - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se i ka dalë hakut Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) sa i përket partneritetit qeverisës.
Në këtë intervistë për Epokën e re Haradinaj ka deklaruar se synon që në zgjedhjet e ardhshme ti fitojë votat vetë dhe qeverinë ta formojë me subjektet e tjera politike. Por, thotë se nuk i dihet, mund ta ketë partner edhe PDK-në, varësisht se si do të jetë rezultati pas zgjedhjeve. Megjithatë, ka saktësuar se partneriteti me partinë e Hashim Thaçit do të jetë opsion i fundit.
Lideri i AAK-së ka sqaruar se PDK-së nuk i është ofruar për pushtet apo për shkak të dashurisë, por për shkak të domosdoshmërisë për ta ndryshuar qeverisjen në vend.
Sa i përket procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, Haradinaj i ka porositur nënkryetarin e tij, Blerim Shala dhe kryeministrin Hashim Thaçi mos të bëjnë devijime nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës në këtë proces.
Haradinaj e ka kritikuar qeverisjen aktuale. Ai ka thënë se qeverisja aktuale në Kosovë është jo e mirë. Sipas tij, qeverisja në pesë vjetët e pavarësisë nuk ka shkuar në përputhje me mundësitë dhe potencialet që i ka pasur Kosova.