Haradinaj: Pasi të kryhet peticioni, vazhdojmë me protesta
Prishtinë, 21 shtator - Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se protestat janë të pashmangshme për të parandaluar pushtetin abuziv të koalicionit PDK-LDK.
Ai tha se opozita njëherë po vazhdon me peticion kundër qeverisjes, për të kaluar më pas në fazën tjetër të veprimit, e që janë protestat.
Haradinaj vazhdon të këmbëngul se dy marrëveshjet e fundit të Qeverisë, njëra me Serbinë dhe tjetra me Malin e Zi, janë të dëmshme dhe duhet të parandalohen.
Në një intervistë për Zërin, Haradinaj ka thënë se opozita e bashkuar njëherë po vazhdon kundërshtimin nëpërmjet peticionit, ndërsa më pas do të shkohet në protesta të fuqishme.
Ai sërish ka hedhur akuza të ashpra kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Kish qenë mençuri prej kryetarit të Qeverisë që të pezullojë këtë kryetar të komisionit, ose të ngrijë aktivitetet e tij derisa gjyqësori, prokuroria nuk jep versionin e vet se a është ky njeri i inkriminuar në vepra kriminale, ka thënë Haradinaj për Murat Mehën, duke shtuar se vendimet e tij duhet të shfuqizohen sa më parë.
/Zëri/