Haradinaj nuk shkon në takimin e Mustafës
Prishtinë, 20 maj - Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk do të jetë sot i pranishëm në një takim që e kishte lajmëruar Isa Mustafa, e ku i pranishëm do të jetë dhe Behxhet Pacolli.
Qëllimi i takimit ka qenë diskutimi për mundësinë e një koalicioni të mundshëm për zgjedhjet e 8 qershorit.
Mirëpo, Haradinaj ka thënë se nuk do të jetë prezent, se nuk ka kohë të merret me të tilla gjëra, por se do të shohë vetëm interesin e qytetarëve.
\"Nuk do hyjmë fare as në debate e as në spekullime parazgjedhore. Sepse duam që qytetarit të Kosovës, në të gjitha viset, pëllëmbë për pëllëmbë t\'ia ofrojmë platformën tonë për DREJTIMIN E RI me të cilin do ta ndryshojmë gjendjen. Nuk kemi kohë të merremi me tjerët- Aleanca e ka vetëm një Aleat: qytetarin e vendit!, ka shkruar Haradinaj.
Ai në fund ka shtuar se populli i Kosovës e njeh se i mban premtimet që jep dhe se me parimet e tij do të shkojë deri në fund këtyre zgjedhjeve.