Haradinaj në vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar
Londër, 11 shkurt - Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, ku do të takojë personalitete të larta të Qeverisë, Parlamentit dhe të jetës institucionale dhe politike të këtij vendi mik.
Sot, Haradinaj në kabinetin e tij, u prit nga ministri për Evropë i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington.
Gjatë këtij takimi, Haradinaj edhe njëherë shprehu falënderimet e tij për ndihmën dhe punën e madhe që është duke e bërë Mbretëria e Bashkuar për Republikën e Kosovës.
Gjithashtu, ai kërkoi që ky angazhim të vazhdohet dhe njëherësh të shtohet edhe në etapat ardhshme.
Gjatë takimit, Haradinaj theksoi se Kosova pesë vite pas pavarësisë së vet ka nevojë për konsolidim dhe zhvillim të mëtutjeshëm në të gjitha nivelet`.
Në këtë aspekt, ai theksoi se AAK, si subjekt politik, e merr me përgjegjësi të lartë punën e vet për vendin, dhe se në këtë aspekt do të jetë e përkushtuar në fuqizimin e rendit dhe të ligjit dhe, njëherësh, do të kontribuojë në temat me interes nacional`.
Gjatë këtij takimi, Haradinaj foli me theks të veçantë për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe nevojën e investimeve nga jashtë.
Ai ftoi dhe inkurajoi investitorët nga Mbretëria e Bashkuar që të vijnë dhe të investojnë në vendin tonë.
Në vazhdën e vizitës, kryetari Haradinaj do të takojë edhe një numër të konsideruar të deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.
Po ashtu, gjatë ditës së nesërme Haradinaj do të vazhdojë agjendën e tij zyrtare me takime të tjera.