Haradinaj mirënjohës për Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova
Pas homazheve, kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktari, vizitoi familjen e presidentit Rugova, ku u prit nga bashkëshortja e tij, Fana, djemtë Mendimi e Uka, vajza Teuta, si dhe anëtarët tjerë të familjes.
Kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë figurën e presidentit Dr.Ibrahim Rugova, duke kujtuar të arriturat që ai i bëri për vendin dhe popullin e tij.
Duke e siguruar familjen Rugova se do të jetë gjithmonë pranë tyre, kryeministri Haradinaj tha se Kosova dhe populli i saj do të jetë përjetë mirënjohës dhe falënderues Dr. Rugovës, për gjithë atë që presidenti Rugova ka bërë për Kosovën dhe shqiptarët.
“Është përvjetori i vdekjes së presidentit tonë të parë dhe historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. I bëmë nderim te varri dhe vizituam edhe familjen. Sot për simbolikë, ashtu sikur edhe presidenti ka qenë çdo herë i përcaktuar, sytë dhe orientimin kah Amerika, unë kam një bashkatdhetar, shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktarin, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë afër presidentit."
"Nuk është i vetmi, ka pasur shumë shqiptarë që e kanë përkrahur atë lëvizje për Kosovën e pavarur para luftës, gjatë luftës, por edhe sot. I shprehim respekt jetës dhe veprës së presidentit Rugova. Është një respekt i përjetshëm. Lavdi”, ka thënë kryeministri Haradinaj, pas vizitës që i bëri familjes së presidentit Rugova.