Haradinaj i pakënaqur nga bisedimet me Serbinë
Prishtinë, 25 dhjetor - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehet i pakënaqur me ritmin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në intervistë ai thotë se mbështetja që i ka dhënë këtij procesi sikundër edhe proceseve të tjera të drejtuara nga qeveria e Kosovës i kanë kushtuar në zgjedhjet për pushtetin komunal.
\"Në rast se kthehemi një vit prapa dhe shohim nisjen e bisedimeve, ne i kemi pasur pritjet më të mëdha. Ne kemi biseduar se ky proces do të jetë shumë më serioz, shumë me, ta quaj kredibilitetin e duhur, me vendosmërinë e aktorëve që zhvillimet të shkojnë me një dinamikë të caktuar.\"
\"Nuk mund të them se jam i kënaqur pas një viti me dialogun, me ecurinë e këtij dialogu. Shpesh herë janë kthyer në tema të njëjta, janë ftuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë me i ri diskutue temën për të cilën kemi rënë dakord disa herë. Pra, e vërtetë që na ka mundësuar me e hapë çështjen e veriut, sepse interesi im dhe i Aleancës dhe arsyeja pse e kemi ndihmuar këtë proces, nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet Kosovë Serbi, ka të bëjë me normalizimin e gjendjes në Kosovë, kuptohet në veri, shtrirjen e juridiksionit e me radhë\", ka theksuar Haradinaj.
Por, ai ka thënë se ka disa rezultate, nuk mund të them se nuk ka rezultate. \"Është situata me gjendjen në pikat kufitare të vendit, është situata, plani i caktuar që të ndodhë vendosja e rendit dhe ligjit, sikur që i shihni mekanizmat që duhet të ndërtohen e integrohen në sistemin e Kosovës, por prap është një dinamike e ngadalshme, është një abuzim, do ta quaja me këtë proces nga palët dhe kjo dinamike dhe kjo mënyrë në aspektin kohor, nuk përputhet me kërkesat që ka Kosova\", ka theksuar Haradinaj.