16 Janar 2025

Haradinaj e Pacolli pa kundërkandidat

Prishtinë, 2 maj - Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe ai i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ende janë të vetëm në garë për ta marrë sërish postin e të parit në partitë e tyre.


Zyrtarët e këtyre subjekteve politike kanë thënë për “Epokën e re” se deri më tani askush nga përfaqësuesit e këtyre partive nuk ka shfaqur ambicie për t’i sfiduar liderët aktualë.

Deri më tani Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli janë pretendentët e vetëm për ta marrë edhe për katër vjet fronin në partitë e tyre.

Përfaqësuesit e AAK-së dhe AKR-së kanë thënë se ende askush nga anëtarët e këtyre partive nuk e ka shpallur kandidaturën për t’u bërë konkurrencë kryetarëve aktualë. Anëtarët e Kryesisë së këtyre partive, Donika Kada-Bujupi (AAK) dhe Myzene Selmani (AKR), kanë thënë për “Epokën e re” se proceset e brendshme zgjedhore do t’i nxjerrin partitë e tyre më të fuqishme dhe më të konsoliduara.

Derisa AAK-ja pritet që të shtunën ta mbajë kuvendin zgjedhor, ku do të zgjidhet kryetari dhe strukturat e reja udhëheqëse të partisë, Donika Kada-Bujupi ka deklaruar se nuk pret që dikush nga partia t’i dalë kundërkandidat Ramush Haradinajt.

“Deri më tani kandidati i vetëm është Ramush Haradinaj. Personalisht konsideroj se mungesa e tij ka dëshmuar në këta tetë vjetët e fundit se AAK-ja nuk funksionon pa liderin Haradinaj ashtu siç është ndjerë mungesa e tij edhe në mbarë shoqërinë dhe në skenën politike.

Kështu që, edhe në këtë mandat ai vazhdon të jetë lider i pakontestueshëm politik i partisë”, ka thënë Kadaj-Bujupi për “Epokën e re”.


Ndërsa anëtarja e Kryesisë së AKR-së, Myzene Selmani, ka thënë se të drejtë për të kandiduar për president të AKR-së kanë të gjithë ata të cilët shprehin interesim për këtë post por, sipas saj, ende askush nuk e ka bërë publike kandidaturën.

“Të drejtën ekskluzive për postin e presidentit të AKR-së e kanë të gjithë. Gara është e hapur. Besoj se mund të ketë dy kandidatë për postin e presidentit, por të shohim tash.

Kandidaturën ende askush nuk e ka shpallur”, ka thënë Selmani për “Epokën e re”. Ajo ka bërë me dije se kuvendin e përgjithshëm zgjedhor AKR-ja pritet ta mbajë kah fundi i këtij muaji.

 

“Kuvendi zgjedhor i AKR-së do të jetë kah fundi i muajit maj, mirëpo deri më tani kuvendet e degëve janë duke shkuar mirë. Jemi përafruar shumë mirë me zgjedhjen e strukturave të reja nëpër degë. Nuk na ka mbetur edhe shumë. Ka ardhje të reja nëpër degë dhe nëndegë, ka rifreskim të kryesive nëpër shumë degë të partisë. Kështu që, ato kuvende po shkojnë në mënyrë demokratike”, ka thënë ajo, duke shtuar se këto zgjedhje do ta konsolidojnë AKR-në edhe më shumë në skenën politike në vend.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)