Haradinaj dhe Delawie diskutojnë për nevojën e krijimit të institucioneve
Prishtinë, 14 qershor Kryetari i AAK-së, i nominuar për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, priti sot në një takim, ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.
Në një komunikatë për media të AAK-së, thuhet se takimi i kryetarit Haradinaj me ambasadorin Delawie, është vazhdimësi e bisedave të përbashkëta për aktualitetin dhe zhvillimet në Kosovë.
\"Kryetari Haradinaj dhe ambasadori Delawie folën për procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë dhe mbarëvajtjen e tyre si dhe për nevojën e krijimit të shpejtë të institucioneve të vendit me qëllim të avancimit të proceseve të Kosovës\", njofton AAK.
Kryetari Haradinaj në takim ka shprehur mirënjohjen për SHBA-të dhe rolin e tyre në ndihmë Kosovës në të gjitha proceset e saj dhe në veçanti ndihmës në shtetndërtim dhe krijimin e një shoqërie demokratike në vend.