Hapet periudha e aplikimit për partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje
Prishtinë, 18 qershor - Prej sot e deri më 16 gusht është afati i aplikimit për certifikim të partive politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur të cilët duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë njoftuar se kërkesat për certifikim dorëzohen në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim.
“Njoftohen të gjitha partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale se afati i aplikimit për certifikim ka filluar dhe përfundon më 16 gusht 2021."
"Kërkesat për certifikim dorëzohen në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, në çdo kohë, gjatë orarit të punës, nga ora 08:00 deri 16:00. Për informata shtesë, mund të vizitoni ueb faqen e KQZ www.kqz-ks.org ose kontaktoni në tel. 038 200 81 010”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 17 tetor 2021.