Hapen qendrat e votimit
Qytetarët e Republikës së Kosovës sot do tu drejtohen kutive të votimit për ti zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vjetët e ardhshëm.
1 milion e 782 mijë e 454 qytetarë të drejtën e votës do të mund ta shfrytëzojnë në 798 qendra të votimit dhe në 2 mijë e 374 vendvotime të cilat do të hapen në orën 07:00 sot dhe do të mbyllen në orën 19:00. Zgjedhjet e sotme do të monitorohen nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, i ka ftuar qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për të ardhmen e tyre.
I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, ti ndajnë pesë minuta kohë që më 8 qershor, me votën e tyre, të kontribuojnë që këto zgjedhje të kalojnë sa më mirë dhe me qetë, në mënyrë që 8 qershori të jetë ditë feste për Republikën e Kosovës."
"Besoj se në këto zgjedhje pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë më e madhe, sepse është koha e mirë, dita është e gjatë, si dhe ende nuk kanë filluar pushimet vjetore, ka thënë Daka.
Shefja e KQZ-së pret që procesi zgjedhor të jetë i lirë, transparent dhe demokratik.
Edhe,koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se sot do të angazhohen mbi 100 prokurorë, të cilët do ta monitorojnë procesin zgjedhor në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun.
Mbi 100 prokurorë dhe 300 zyrtarë të tjerë do të jenë si staf mbështetës në ditën e zgjedhjeve. Nuk do të punojmë vetëm në ditën e zgjedhjeve, më 8 qershor, por edhe më 9 qershor. Pra, do të punojmë deri kur të numërohet vota e fundit, ka thënë Pula, duke shtuar se do të jenë të pakompromis ndaj çdo keqpërdoruesi të votave.