20 Janar 2025

Hamiti takoi Grupin e Miqësisë Austri-Kosovë të Parlamentit austriak

Prishtinë, 20 janar - Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sabri Hamiti, priti sot në takim Grupin e Miqësisë Austri-Kosovë të Parlamentit të Austrisë, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin, në radhë të parë parlamentar midis Kosovës dhe Austrisë, për funksionin e Kuvendit të Kosovës dhe obligimet e tij gjatë këtij viti. U diskutua, gjithashtu, për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet dy shteteve mike.

Parlamentarët austriakë shprehën interesim të veçantë për zhvillimet e pritshme në punën e Kuvendit të Kosovës, duke nënvizuar funksionimin demokratik, i cili domosdoshmërisht e përjashton dhunën si mjet politik.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, falënderoi në mënyrë të veçantë deputetët e Parlamentit të Austrisë, për ndihmesën e madhe që vendi i tyre ka dhënë në të kaluarën dhe në kohën më të re, për zhvillimet politike, kulturore, arsimore dhe ekonomike në Kosovë.

Kryetari i Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë, deputeti Christoph Vavrik, nga ana e tij, falënderoi nënkryetarin e Kuvendit për qëndrimet e tij të qarta dhe të drejtpërdrejta lidhur me zhvillimet e gjithanshme në Kosovë.

Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Sllobodan Petroviq dhe ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sami Ukelli.

Pritet që në të ardhmen e afërt, grupet e miqësisë të të dyja parlamenteve, të takohen, për të krijuar një agjendë specifike të bashkëpunimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)