Hamiti: I di dallaveret e përkrahësve të Tërnavës
Prishtinë, 18 gusht - Nëpërmjet një letre publike kreu i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) Xhabir Hamiti ka thënë se është në dijeni për \"dallaveret\" që po bëjnë përkrahësit e kreut aktual të BIK-ut Naim Tërnava.
Hamiti në reagimin e tij thekson emrat që po mundohen të ndikojnë tek anëtarët e Kuvendit të BIK-ut në mbledhjen që pritet të mbahet të martën.
Sipas tij, është obligim i tij që të njoftojë publikisht zhvillimet e fundit të cilave po iu prinë Basri Zekolli, Fadil Hasani dhe një pjesë e Kryesisë së BIK-ut, shkruan Zëri.
Natën e Bajramit, Basri Zekolli, Kryeimam në Vushtrri, me përgatitje të lartë jo fetare islame-orientalistikë, ndryshe i njohur si hajmaligji me receta, nuk i ka lënë të qetë anëtarët e Kuvendit të BIK-ut në teren, as natën e Bajramit, duke ju kërkuar nënshkrime, për të mbajtur kinse mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të BIK-ut, sepse sipas tyre kryetari i Kuvendit nuk po donë më mbajt mbledhje të rregullt, ka thënë Hamiti.
E meqë iniciativa e tyre nuk piu ujë dhe tani mbledhja do të mbahet e rregullt, sipas rendit të ditës të caktuar nga kryesia e Kuvendit dhe rendit të ditës të shpërndarë tashmë tek anëtarët e Kuvendit, Basri Zekolli ka filluar shantazhimin tjetër të anëtarëve duke ju thënë se ka miratimin edhe nga lartë (kryesia) për të ndryshuar kushtetutën e BIK-ut, vetëm dy muaj para zgjedhjeve, ka thënë Hamiti.
/Zëri/