Hamiti dorëzoi letrat kredenciale te Presidenti i Irlandës
Dublin, 6 dhjetor - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Muhamet Hamiti, ka dorëzuar të martën, më 6 dhjetor në Dublin, letrat kredenciale të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për emërimin e tij Ambasador jorezident në këtë vend.
Në një ceremoni shtetërore në Pallatin Presidencial të Irlandës, Áras an Uachtaráin, Ambasadori Hamiti i dorëzoi letrat Presidentit të Republikës së Irlandës, Michael D. Higgins. Ceremonia përfshinte intonimin e Himnit të Kosovës nga orkestra ushtarake, rivistën e Gardës Ushtarake të Irlandës, si dhe paraqitjen e Ambasadorit Hamiti para Presidentit Higgins.
Me këtë rast, Ambasadori Hamiti i përcolli mesazhet e përzemërta të Presidentes Jahjaga për mirëqenien dhe prosperitetin e popullit irlandez, si dhe përkushtimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës dhe Irlandës.
Presidenti Higgins falënderoi për mesazhet e dërguara dhe uroi që Kosova e pavarur dhe sovrane të shënojë përparime në rrugën e saj evropiane. Ai po ashtu vuri në pah ndjeshmërinë që ekziston në Irlandë për Kosovën.
Irlanda e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës më 29 shkurt 2008. Ajo përfaqësohet në Kosovë përmes Ambasadorit të saj rezident në Budapest.
Ambasadori i Republikës së Kosovës, Muhamet Hamiti, i cili është ambasador rezident në Mbretërinë e Bashkuar, që nga sot do të mbulojë Irlandën. Hamiti është po ashtu Ambasador jorezident edhe për Zelandë të Re.